Hamza pas mbështetjes së Limajt: Më 7 qershor, bashkë do t’i themi STOP krizës dhe do ta ndryshojmë Kosovën!

- Advertisement -

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka konfirmuar se NISMA Socialdemokrate, e udhëhequr nga Fatmir Limaj, do ta mbështesë Partinë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit.

Hamza ka thënë se kjo mbështetje nuk është vetëm për zgjedhjet, por një hap drejt një bashkëpunimi afatgjatë politik, institucional, qeverisës dhe partiak ndërmjet dy subjekteve.

Ai theksoi se me Fatmir Limajn i bashkojnë vlera, ideale dhe përgjegjësia për vendin, duke shtuar se Kosova ka nevojë për bashkim, seriozitet dhe bashkëpunim në interes të qytetarëve.

Hamza po ashtu falënderoi Limajn për korrektësinë, mbështetjen dhe gatishmërinë për t’u bërë pjesë e këtij rrugëtimi të përbashkët.
Në fund, ai u bëri thirrje mbështetësve të PDK-së dhe NISMA-s, brenda dhe jashtë Kosovës, që më 7 qershor “bashkë t’i thonë STOP krizës dhe ta ndryshojnë Kosovën”.

Postimi i plotë:

Po, Fatmir Limaj do ta mbështesë Partinë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit – dhe jo vetëm.

Me Fatmirin na kanë bashkuar vlera, ideale dhe përgjegjësia për vendin. Të njëjtat vlera po na afrojnë dhe po na ribashkojnë sërish sot, në një moment kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për bashkim, seriozitet dhe bashkëpunim në interes të qytetarëve. Këto janë vlera që i ndajnë edhe elektorati ynë dhe ai i NISMA-s.

Kjo mbështetje është një hap i rëndësishëm drejt një bashkëpunimi afatgjatë politik, institucional, qeverisës dhe partiak, për stabilitet, zhvillim dhe një Kosovë më të fortë.

E falënderoj mikun tim të vjetër, Fatmirin, për korrektësinë, mbështetjen dhe gatishmërinë për t’u bërë pjesë e këtij rrugëtimi të përbashkët.

Mbështetësve tanë anekënd Kosovës dhe në diasporë ua them vetëm një gjë: më 7 qershor, bashkë do t’i themi STOP krizës dhe do ta ndryshojmë Kosovën!

#PDK125

Të ngjashme

Të fundit