Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka kritikuar procesin në Dhomat e Specializuara në Hagë për mungesë transparence, llogaridhënieje dhe mbikëqyrjeje, ndërsa ka thënë se vendimi i fundit është i padrejtë.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ai ka thënë se pavarësisht vështirësive dhe problemeve të deritanishme, synimi është që të vazhdohet të besohet në drejtësi dhe se apeli do të zhvillohet brenda Dhomave të Specializuara.
“Dhe ne me tani, çka kemi parë në proces: kemi parë mungesë transparence, mungesë llogaridhënie, mungesë mbikëqyrje, dhe kemi një vendim të padrejtë. Një vendim ku gjykohet historia, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës. Ku qytetarët e Kosovës që përballen me këtë drejtësi, ballafaqohen me një proces të padrejtë ku shkelen edhe të drejtat e njeriut, siç kemi konstatime edhe prej organizatave kredibile ndërkombëtare”, është shprehur Hamza.
“Deri tash çka ka ndodhur, ka pasur shumë vështirësi, ka pasur shumë probleme, ka pasur shumë padrejtësi. Ne po duam me vazhdu me besu në drejtësi. Dhe për këtë qëllim, apeli do të fillohet brenda Dhomave të Specializuara, në kuadër të Dhomave të Specializuara, dhe ne presim që të ketë një vendim të drejtë, bazuar në fakte, në prova, jo thashetheme, jo të vërteta, jo të ndërtohen dhe të sajohen krijesa që s’kanë ekzistuar. Nuk mundet dhe nuk qëndron ‘ndërmarrja e përbashkët kriminale’, ata njerëz janë të pafajshëm. Nuk mundet me u gjykuar njerëzit për krime që s’i kanë bërë. Krimet duhet me u faktuar”, ka deklaruar ai.
Hamza ka theksuar se PDK-ja, sipas tij, nuk është kundër hetimit dhe faktimit të krimeve, por kundërshton atë që e quan proces të padrejtë.
Në fund, ai ka thënë se ndryshimet ligjore nuk synojnë shpërbërjen e Dhomave të Specializuara, por vendosjen e mekanizmave dhe kthimin e tyre, siç tha ai, brenda normave juridike dhe ligjore.
“Dhe në këtë aspekt, ne nuk po e shpërbëjmë Gjykatën apo Dhomat e Specializuara, por po vendosim mekanizma, po e vendosim, po e kthejmë brenda normave juridike dhe ligjore. Dhe për këtë arsye, unë jam i bindur që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të jenë në përkrahje të këtij ligji dhe ky ligj do të përfundojë nesër brenda procedurave të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Hamza. /EO/






