Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se teksa sot në Zubin Potok po gërmohet për mbetje mortore, pas dyshimeve për një varrezë masive, 27 vjet pas lufte është e papranueshme që po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, teksa Serbia Serbia ende nuk ka dhënë llogari për krimet monstruoze të kryera mbi popullin Serbia.
Hamza ka thënë se Kosova e ka paguar shtrenjtë çmimin e luftës, duke shtuar se edhe Mitrovica e ka përjetuar rëndë këtë dhimbje.
“Sot në Zubin Potok po gërmohet për mbetje mortore, pas dyshimeve për një varrezë masive. Edhe pas 27 vitesh, ne ende jetojmë me dhimbjen e pritjes dhe shpresën për të mësuar të vërtetën për mijëra qytetarë të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Është e papranueshme që, ndërsa në Hagë po e presim përfundimin e procesit të padrejtë gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Serbia ende nuk ka dhënë llogari për krimet monstruoze të kryera mbi popullsinë tonë dhe vazhdon ta mbajë peng të vërtetën për mijëra të zhdukur”.
“Kosova e ka paguar shtrenjtë çmimin e luftës. Edhe Mitrovica e ka përjetuar rëndë këtë dhimbje, me mbi 100 familje që ende presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre. Në mesin e tyre janë edhe familjet e 23 intelektualëve mitrovicas, njerëz të dijes dhe vlerave kombëtare, shumica prej të cilëve ishin miq shumë të afërt të mi, të cilët u panë për herë të fundit më 19 prill 1999 në fshatrat e Zubin Potokut. Një ditë kjo dhimbje do të marrë fund, por e vërteta duhet të dëgjohet dhe drejtësia duhet të vihet në vend. Kosova nuk do të ndalet së kërkuari të vërtetën për çdo të zhdukur, drejtësi për çdo familje dhe përgjegjësi për çdo krim. Ky është detyrimi ynë moral, kombëtar dhe shtetëror”, ka thënë ai. /Gazeta Express






