Eksperti i komunikacionit, Lavdim Hamiti, thotë se mungesa e laurave në kalimet hekurudhore mbetet shkaku kryesor i aksidenteve tragjike në Kosovë, duke theksuar se institucionet kanë dështuar të marrin masat e nevojshme për parandalimin e tyre.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Hamiti tha se vendosja e laurave në kalimet hekurudhore është obligim i institucioneve dhe masa e vetme që, sipas tij, do t’i eliminonte aksidentet në këto pika.
“Sa i përket kësaj pjesës së aksidenteve, zakonisht ku i kemi hekurudhat sa i përket pjesës së trenit, e kemi mund të themi të gjitha janë për shkak që nuk kemi laura. Nuk kemi laura, do të thotë tek rruga që duhet të vendoset laura, që mos të ketë mundësi vetura të kalojë derisa të kalojë treni. Si pretendime të zyrtarëve ne i kemi gjithëherë thotë është shenja stop. Me ligj është e rregullume, edhe nëse nuk është shenja stop ti duhet të ndalesh para hekurudhës. Por te ne e dijmë që hekurudhat janë shumë pak të lëvizshme dhe normal intuita gjithmonë e harron atë pjesën që mund të ketë tren në çdo hekurudhë që kalojmë. Edhe vazhdohet ajo pjesë, do të thotë në çdo hekurudhë tu mos e përcjell rrugën se a kemi tren a nuk kemi tren, sepse është shembull treni është njëherë në mëngjes edhe njëherë në mbrëmje rrugës prej Prishtinës, ndërsa hekurudha kemi të, do të thotë në rrugë ku kemi hekurudha kemi të pafundshme. Për atë arsye është e obligueshme nga zyrtarët të vendosen laurat, që në atë kryqëzim ku kalon treni të vendoset laura që mos të ketë mundësi vetura të kalojë, apo t’i pamundësohet veturës të kalojë rrugën pa u ndalur. Është e obligueshme të jetë laura që të ikim këtyre aksidenteve, të ikim këtyre gabimeve që janë duke u bërë nga institucionet, nga personat zyrtar që duhet të vendosin laurat”, tha ai.
Hamiti u shpreh kritik ndaj institucioneve, duke thënë se mungesa e veprimit ka kushtuar me dhjetëra jetë njerëzish ndër vite.
“Nuk është, dëgjo mjetet e mëdha financiare është humbja e jetës së njeriut. Humbjen e jetës nuk e zëvendësojnë mjetet. Është neglizhencë, është mospunë e personave që janë adekuat për këtë çështje. Do të thotë që për ata persona nuk ka vlerë jeta e njeriut. Kemi me dhjetëra, mos të them me qindra, do të thotë prej pasluftës prej vitit 2000 deri më sot që kanë humbur jetën pikërisht në hekurudha. A ka marrë dikush përgjegjësi? A merr dikush përgjegjësi për këtë pjesë? Unë e them gjithëherë, nuk është një kriminel që del dhe vret një njeri apo dy apo disa, kriminel është edhe ai person që për shkak mospunës së tij, neglizhencës së tij vdesin njerëzit që janë duke vdekur në aksidente. Ata persona me dhjetëra që kanë humbur jetën në hekurudha, duhet të marrë përgjegjësi dikush. Që mos të them apo mos të jetë shumë e vrazhdë, që ata janë kriminelat e sotëm. Që punojnë në zyra dhe nuk i vendosin laurat në ato pika ku janë të obligueshëm të vendosen laurat që mos të kemi humbjen e njerëzve sikurse që patëm, edhe po vazhdon kjo pjesë”, tha ai, për Ekonomia Online.
Sipas tij, vendosja e laurave do ta eliminonte plotësisht rrezikun e aksidenteve në kalimet hekurudhore.
“Vetëm laurat e vendosin. Në momentin që vendosen laurat do të thotë numri i aksidenteve tek hekurudhat do të thotë jo që bie, por është zero. Është zero do të thotë numri i aksidenteve tek hekurudhat. Përderisa nuk kemi laura, ky numër i aksidenteve vetëm që ka me vazhdu njëjtë sikurse që e kemi që 25 vite apo 26 vite”, tha ai.
Të hënën në mengjes një grua humbi jetën, pasi u godit nga treni në Pejë.
Lidhur me rastin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante dhe Prokurori i Shtetit.





