Ish-deputeti, Haki Abazi, ka reaguar lidhur me debatin e fundit të ngritur rreth profileve të rrejshme në rrjete sociale, debat ky i nxitur nga një llogari me emrin “Lule Gjeli”.
Haki Abazi ka thënë se “Lule Gjeli” është lufta hibride për të cilën flet Albin Kurti dhe sipas tij “Lule Gjeli” është në shërbim të Kurtit dhe Dejona Mihalit.
Ai ka thënë se është i gatshëm të flasë për Prokurorinë meqë thotë se në vitin 2021 në Delëare të SHBA-së e ka takuar “Lule Gjelin.
“Publikisht kërkoj nga prokurori që ka marrë rastin në dorë të më dërgojë ftesë për dëgjim lidhur me Lule Gjelin, të cilin e kam takuar në Delaware në vitin 2021 me kërkesën e tij. Hera e parë dhe e fundit që kam komunikuar me atë njeri, por pasojat e luftës speciale kanë vazhduar deri në penetrimin e mediave dhe të opinionit dhe deformimin e së vërtetës|”, ka shkruar Abazi.
Reagimi i plotë:
Lule Gjeli është lufta hibride për të cilën Kurti flet në vazhdimësi! Kjo është lufta hibride e Kurtit por nuk përfundon me Lule Gjelin!
Lule Gjeli është në shërbim të Kurtit dhe Dejona Mihalit në kuadër të LVV-së. Në vazhdimësi, së bashku kanë prodhuar lajme të pavërteta edhe për zyrtarë të lartë të SHBA-së dhe kanë kontribuar në prishjen e marrëdhënieve me SHBA-në duke sulmuar zyrtarët dhe poashtu në bashkëveprim me zyrtarë lokal të ambasadave të huaja në Kosovë, kanë keqinformuar dhe deformuar informacione me qëllim denigrimin dhe eliminimin e kundërshtarëve politik.
Kurti ka përzgjedhur që në SHBA të ketë të tillë si përfaqësues dhe informatorë, ka injoruar Ambasadën dhe patriotët e intelektualët në mërgatë dhe ka angazhuar persona shumica me dosje dhe reputacion shumë të keq e për rrjedhojë kanë marrë urdhra nga ai dhe drejtpërdrejt nga Dejona!
Konspiracioni dhe lufta speciale e Kurtit, i kanë rrënjët në zyrat e propagandës dhe të agjitacionit për sulm dhe dëmtim të reputacionit. Lule Gjeli është vetëm një nga ata që kanë marrë dhe kanë dhënë informacione dhe kanë kontaktuar zyrtarë me qëllime të panjohura.
LVV – Mihali & Kurti and Co. – kanë krijuar tregimin se kinse SHBA-ja ka refuzuar kandidaturën time për Ambasador në SHBA. Ky tregim, mes shumë të tjerash me urdhër të Kurtit dhe Mihalit, është përhapur nga po këta aktorë medialë që sot po e konsiderojnë Lulë Gjelin ashtu siç është, por që janë shërbyer me informata të Lulë Gjelit, Kurtit e Mihalit.
Lulë Gjeli duhet patjetër të merret në pyetje për mashtrim dhe konspiracion, si dhe për fushata denigruese me pasoja të rënda dhe rrezikshmëri të lartë për personalitete zyrtare, përfshirë edhe pengimin e kryerjes së detyrës zyrtare, por së pari duhet të merren në pyetje shefat e Lule Gjelit.
Po ashtu, është koha që ata që kanë përhapur propagandën e Mihalit, Gjelit, Kurtit e Manxhukës, në pritje të vendimeve të gjykatave, të reflektojnë duke filluar me kërkim-falje, ndryshe nuk janë më pak fajtorë sesa vetë Lulë Gjeli.
Publikisht kërkoj nga prokurori që ka marrë rastin në dorë të më dërgojë ftesë për dëgjim lidhur me Lule Gjelin, të cilin e kam takuar në Delaware në vitin 2021 me kërkesën e tij. Hera e parë dhe e fundit që kam komunikuar me atë njeri, por pasojat e luftës speciale kanë vazhduar deri në penetrimin e mediave dhe të opinionit dhe deformimin e së vërtetës.






