Legjenda holandeze Ruud Gullit ka reaguar pas raportimeve për një përplasje në stërvitje mes Aurelien Tchouameni dhe Federico Valverde në Real Madrid, duke minimizuar ngjarjen dhe duke thënë se situata të tilla janë pjesë normale e futbollit.
Sipas mediave spanjolle, incidenti në stërvitje u pasua me shqetësim për gjendjen e Valverde-s, i cili madje përfundoi në spital me një lëndim në kokë. Megjithatë, uruguaiani më vonë sqaroi se nuk bëhej fjalë për goditje dhe se ishte vetëm një debat i zakonshëm mes lojtarëve.
Pas këtyre raportimeve, janë shfaqur spekulime se Tchouameni mund të largohet nga Real Madridi gjatë verës, me Manchester United të përmendur si destinacion i mundshëm. Por Gullit e ka hedhur poshtë këtë ide.
“Është normale. Në kohën time çdo javë kishte diçka të tillë,” ka thënë Gullit.
“Nuk më shqetëson fare, është diçka normale dhe duhet të ndodhë. Lojtarët duhet të çlirojnë frustrimet e tyre.”
Ai shtoi se në një ekip nuk është e domosdoshme që lojtarët të pëlqejnë njëri-tjetrin, por duhet të ekzistojë respekti i ndërsjellë.
“Nuk është e nevojshme të pëlqehen, por duhet të respektojnë njëri-tjetrin sepse janë të rëndësishëm për ekipin. Konfliktet gjithmonë do të ndodhin në futboll, madje duhet të ndodhin,” përfundoi Gullit.






