Guerot: Për hapjen e Urës së Ibrit duhet diskutime me të gjithë – Bllokada dy vjeçare e padobishme për vendin

- Advertisement -

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka folur për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve, duke theksuar nevojën që çdo vendim për këtë çështje të merret pas konsultimit me të gjithë hisedarët relevantë.

Guerot tha se ura aktualisht është e hapur për këmbësorët dhe se ajo tashmë përdoret nga qytetarët.

”Ura është e hapur për këmbësorët, unë e kam kaluar urën shumë shpesh dhe më kujtohet festivali në Mitrovicë vitin e kaluar, kishte familje që shkonin nëpër urë me karroca të fëmijëve, pra fatmirësisht nuk është se ç’ka qenë në të kaluarën, ura veçse është e hapur për këmbësorë. Pyetja nëse duhet të hapet për automjete, duhet të diskutohet me hisedarët relevantë. Nuk është që kjo urë ka qenë në mes të asgjëkundit, por ka njerëz që jetojnë përreth, ka zyrtarë të përzgjedhur, është natyrisht edhe policia, KFOR-i siç e thashë, do të vazhdojë të ketë rol të përgjithshëm në këtë vend. Ajo që është e rëndësishme mendoj, është procesi që çon në vendim. Pra, procesi që shpie në vendim është ndoshta më i rëndësishëm sesa vetë vendimi dhe duhet të bëhet në konsultim me të gjithë hisedarët”, ka thënë Guerot në KlanKosova.

Ai e cilësoi situatën aktuale të sigurisë si më të qetë, por ende fragjile, duke vlerësuar punën e KFOR-it gjatë 26 viteve të fundit për krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

‘’Tani është vlerësuar se është e mundur që të zvogëlohet përsëri ose të optimizohet vëllimi që nuk do të thotë se KFOR-i po tërhiqet, KFOR-i do të vazhdojë të jetë element kyç për këtë vend dhe për sigurinë e qytetarëve. Por në fakt, është një shenjë e mirë, tregon që situata është fragjile, por më e qetë”, ka thënë ambasadori në largim francez, Olivier Guerot.

Guerot, ka komentuar edhe situatën politike dhe bllokadën institucionale në vend, duke thënë se gjatë katër viteve të mandatit të tij ka shmangur komentet për politikën e brendshme të Kosovës dhe se nuk dëshiron ta bëjë këtë as në ditët e fundit të mandatit.

Megjithatë, ai theksoi se për Kosovën është e domosdoshme të ketë institucione funksionale, veçanërisht në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

“Unë s’kam bërë komente për politikën e brendshme në katër vitet e fundit dhe nuk do ta bëj as në orët e fundit të mandatit këtu. Për Kosovën që të lëvizë përpara, në veçanti drejt BE-së, ne duhet të kemi partnerë në institucione. Na duhet presidenti, na duhet Kuvendi”, tha ai, transmeton Klankosova.tv

Ambasadori francez tha se situata aktuale institucionale po e ngadalëson Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së.

“Nuk e fajësoj asnjë parti, por si një diplomat i huaj po e them atë që është e qartë. Bllokada dy vitet e fundit nuk është e dobishme që Kosova të lëvizë drejt BE-së”, deklaroi Guerot

Të ngjashme

Të fundit