Gucati për marshin e 1 tetorit: Pres pjesëmarrje nga të gjitha trevat shqiptare, në apel do të dalim fitimtarë

- Advertisement -

 

Pas vendimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, në Kosovë dhe jashtë saj kanë nisur protesta të njëpasnjëshme në mbështetje të tyre.

Që nga ajo datë, çdo ditë janë mbajtur tubime dhe protesta, ndërsa mobilizimi pritet të kulmojë më 1 tetor me marshin për liri në Prishtinë, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”.

Protestat janë zhvilluar me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe përfaqësuesve të organizatave të dala nga lufta, ndërsa mesazhet kryesore kanë qenë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kundër vendimit të fundit të dhënë në Hagë.

Kreu i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, ka folur për marshin për liri që do të mbahet më 1 tetor në Prishtinë, duke thënë se pret pjesëmarrje të madhe të qytetarëve nga Kosova, diaspora dhe trevat shqiptare.

Gucati ka thënë se protestat në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të nisura pas vendimit të 16 shtatorit në Hagë, do të vazhdojnë.

Ai ka bërë thirrje që marshi të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore, duke kërkuar nga pjesëmarrësit që të jenë të kujdesshëm dhe të mos ketë fyerje apo përplasje me Policinë e Kosovës.

‘’Një vendim i padrejtë u është shprehur ish krerëve të UÇK-së tash protesta kemi pasur që nga data 16 shtator e deri më sot kështu që ne nuk do të ndalemi deri më 1 tetor protesta, nga marshi i 1 tetorit pres që ti bashkëngjitëm por gjithmonë duke u angazhuar që protesta të jetë e qetë, të jemi të kujdesshëm të mos fyejmë policinë tonë, unë pres njerëz nga të gjitha vendet ku ka shqiptarë që të bashkohen në këtë protestë paqësore’’, tha Gucati për Front Online.

Sipas Gucatit, mesazhi i protestës duhet të jetë i qartë edhe për ndërkombëtarët, ndërsa ai ka thënë se pret që në këtë mobilizim të marrin pjesë shqiptarë nga vende të ndryshme.

Gucati ka paralajmëruar gjithashtu protesta të tjera në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe vende të Evropës, ndërsa ka përmendur edhe protestën e paralajmëruar më 10 tetor në Bruksel, para selisë së NATO-s.

‘’Tani do të organizohet një protestë edhe në Shqipëri e Maqedoni në tërë Evropën besoj se do  të kemi protesta, me 10 tetor mbahet një në Bruksel para selisë së NATO-s ’’, thotë Gucati.

Kreu i OVL-UÇK, ka shprehur bindjen se ish-krerët e UÇK-së do të kenë sukses në procesin e apelit në Hagë, duke thënë se beson se përmes protestave ndërkombëtarëve do t’u përcillet, siç shprehet ai, e vërteta për luftën.

‘’ Besoj se në apel do të fitojmë sepse kemi drejtësinë tonë, Serbia ka bërë krime e jo ne , besoj dhe shpresoj se edhe ndërkombëtarët  do të shohim përmes protestave të vërtetën tonë, sepse çdo natë po rrite numri i protestuesve çdo ditë ka prot4esta dhe ata do ta kuptojnë se lufta jonë është e pastër’’, deklaron kreu i OVL të UÇK-së.

Gucati ka veçuar edhe pjesëmarrjen e të rinjve në protestat e fundit, duke thënë se është i kënaqur me mobilizimin e tyre dhe pjesëmarrjen në protestat që po organizohen.

‘’Më kënaq shumë fakti që rinia jonë iu është bashkuar shumë protestave kënaqem kur i shoh që marrin pjesë në protestat që po organizohen çdo ditë’’, përfundon Gucati.

 

Të ngjashme

Të fundit