Deputeti Përparim Gruda ka mbrojtur ligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke deklaruar se ai është hartuar me kujdes dhe pas konsultimeve të nevojshme, shkruan Scanner.
Deklarimet e tij vijnë pas kërkesës që sot PDK i bëri Presidentes Shiroka-Pula, që ligjin ta kthej në Kuvend.
Gruda ka theksuar se është krenar për punën e bërë së bashku me ekipin hartues dhe se nuk tërhiqet nga qëndrimi i tij për këtë ligj.
Ai ka thënë se do të preferonte që debati të përqendrohej te zbatimi i ligjit dhe jo te rihapja e diskutimeve për të. Megjithatë, në rast të rishqyrtimit nga Kuvendi, ai ka kërkuar që procesi të zhvillohet me përgjegjësi dhe argumente juridike.
Në fund, Gruda ka theksuar se synimi duhet të jetë një drejtësi e pavarur që, sipas tij, e mbron luftën çlirimtare të Kosovës.
Postimi i plotë:
Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet.
Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji. E di sa punë, sa përpjekje dhe sa përgjegjësi ka pasur pas tij.
Do të kisha preferuar që sot të flisnim për zbatimin e ligjit, jo për rihapjen e debatit mbi të. Megjithatë, nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet të bëhet me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij.
Unë nuk tërhiqem nga bindja ime, nuk distancohem nga puna ime dhe nuk heq dorë nga qëllimi për të cilin ky ligj u hartua. Çdo hap i mëtejshëm duhet të na afrojë drejt një drejtësie të pavarur që e mbron luftën tonë të drejtë çlirimtare, jo të na largojë prej saj.
Për të tjerat, këtu do të jemi dhe do të flasim.






