Lajme

Gruda: Gjykata Speciale ka devijuar nga mandati fillestar

By GAZETA SCANNER 1

September 12, 2023

Koordinatori i Departamentit të Drejtësisë në Partinë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, në emisionin “Info Nata” i ka komentuar bsatisjet në familjen Fazliu dhe arrestimin e Rrustem Mustafa, i cili më pas është liruar.

Gruda, thotë se bastisjet dhe arrestimi i Remit është ekzekutim i urdhrave që i jep Gjykata Speciale.

“Këto bastisje dhe ky arrestim i EULEX-it dhe intervistimi i Remit është ekzekutim i urdhrave që jep Gjykata Speciale nga ana e EULEX-it. Kemi thënë si PDK prej fillimit që PDK-ja i ka dhënë votat e veta për të themeluar Gjykatën Speciale dhe se nuk do ta bllokojë asnjë lloj hetimi, asnjë lloj zhvillimi që ka të bëjmë me punët e Gjykatës Speciale”, tha ai në Tëvë1.

Sipas Grudës, Gjykata Speciale ka devijuar nga mandati fillestar.

Vetëm se PDK-ja nuk mund të mos e thotë që Gjykata Speciale ka devijuar nga mandati fillestar i saj që ka pasur edhe nga ajo që po ndodh aktualisht me zotin Thaçi, Veselin, Krasniqin dhe zotin Selimi. Është një proces, i cili nuk është në përputhje me standardet evropiane për gjykim të drejt dhe në kohë të arsyeshme.

Sipas tij, procesi i paraburgimit për ish-krerët e UÇK-së është tej zgjatur.

“Procesi po zgjatet shumë, në nëntor po bëhen tri vite që ata janë në paraburgim dhe nuk ka asnjë lloj standardi evropian që ta ndalon për tri vite në paraburgim”, shtoi ai.

Gjatë ditës së sotme me urdhër të Gjykatës Speciale është arrestuar ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa-Remi, i cili pak orë më vonë është liruar. Remi për media ka deklaruar se i është marrë vetëm telefoni mobil.

Ndërkohë, Gjykata Speciale e Hagës ka kryer sot bastisje në banesën e familjarëve të dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu, e njëjta banesë në kohën e luftës shërbente si bazë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bastisja përfundoi pas pesë orëve, ku Zyra e Prokurorit të Specializuar mori disa dokumente.