Graiçevci: Williamsoni më i dëmshëm se Dick Marty

- Advertisement -

Lirim Greiçevci, pjesë e ekipit të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, ka reaguar përmes një statusi ndaj ish-prokurorit Clint Williamson, duke e akuzuar atë për gënjeshtra lidhur me hetimin e raportit të Dick Martyt.

“Më i dëmshëm se Dick Marty”, e ka cilësuar Grajqevci Williamsonin në statusin e tij.

Greiçevci shkruan se Williamsoni, pasi u mor me hetimin e raportit të Martyt për gati tri vite, kishte dalë në një konferencë për media në Bruksel dhe kishte deklaruar se i kishte “vërtetuar përgjithësisht” akuzat e raportit të Martyt.

Sipas Greiçevcit, Williamsoni kishte “gënjyer edhe më zi” kur kishte deklaruar se trafikimi me organe kishte ndodhur në disa raste të kufizuara.

“Gënjeu edhe më zi, duke thënë se trafikimi me organe kishte ndodhur në disa raste të kufizuara, të cilat mund të numëroheshin ‘në gishta të duarve’, dmth jo më shumë se dhjetë raste”, shkruan ai.

Greiçevci thotë gjithashtu se Williamsoni kishte deklaruar se e kishte të gatshme një aktakuzë dhe se po priste vetëm formimin e një gjykate.

“Gënjeu gjithashtu se e kishte të gatshme një aktakuzë dhe se vetëm po priste formimin e një gjykateje”, shkruan Grajqevci. Si e dimë që gënjeu Williamson? Ekipet mbrojtëse kanë parë dokumentacionin e tij që ka lënë prapa ai. Ai nuk kishte vërtetuar asgjë, aq më pak trafikim organesh”, shkruan ai.

Sipas tij, “aktakuza e tij fantome nuk u dorëzua as nuk u konfirmua asnjëherë”.

Ai pretendon se Williamsoni kishte hetuar ngjarjet e pasluftës në Kosovë, ndërsa shton se “trupi gjykues, edhe ashtu, i hodhi poshtë të gjitha akuzat pas 20 qershor 1999”.

Në statusin e tij, Greiçevci përmend edhe prokurorin David Schëendiman.

“Prokurori i ndershëm që erdhi pas tij, David Schëendiman, refuzoi të lëvizte bazuar në gënjeshtrat e Williamson. Integritetin e tij prokurorial, Schëendiman e pagoi me shkarkim nga detyra”, shkruan ai.

Më pas, ai përmend edhe Jack Smithin, duke shkruar se “pas tij erdhi një tjetër prokuror mashtrues, Jack Smith, i cili hartoi një aktakuzë krejt tjetër”.

Sipas tij, “gënjeshtrat e Williamson u përdorën si grep për t’ia imponuar Kosovës një strukturë gjyqësore jashtë vendit, nën kërcënimin e formimit të saj nga OKB”.

Greiçevci kërkon përgjegjësi nga Williamsoni.

“Ky mashtrues duhet të na tregojë se a mashtroi vetë, apo e nxiti dikush tjetër të mashtrojë”, shkruan ai.

Greiçevci ka ngritur edhe pyetje për angazhimet e mëvonshme të Williamsonit, duke shkruar: “Tash flitet se ai punon për ndjekjen e krimeve në Ukrainë. Vaj halli për Ukrainën!”

Ky reagim vjen pasi në një intervistë për BIRN, Williamsoni tha se autoritetet në Kosovë nuk kishin arritur të zbusnin pritshmëritë e publikut se Thaçi dhe bashkë të pandehurit e tij do të shpalleshin të pafajshëm

Të ngjashme

Të fundit