Çështja e gazit amerikan dhe qëndrimi i institucioneve të Kosovës ndaj kërkesës së SHBA-së ka qenë pjesë e diskutimit sonte në emisionin Rubikon të Klan Kosovës.
Duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve dhe mundësinë e krijimit të institucioneve të reja, opinionistët kanë dhënë vlerësimet e tyre edhe mbi situatën aktuale në vend, përfshirë gazin amerikan, për çka ka pasur sërish thirrje nga SHBA-ja që Kosova të përfshihet në këtë projekt.
Opinionisti Dukagjin Gorani ka kritikuar qasjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me gazin amerikan, pasi sipas tij, të dalësh me një ide të re ndaj kërkesës amerikane do të thotë refuzim dhe ofendim për aleatin jetik të Kosovës.
“Me i thënë jo një propozimi të aleatëve, ajo është refuzim, por me i thënë unë e kam një ide më të mirë, ajo është ofendim. Ajo që e pashë këto ditë, kryeministri Kurti doli dhe tha që ne e kemi një ide më të mirë. Mu kjo më brengos më shumë, sesa me i pas thanë jo. Me i thanë ti aleatit tanë kryesor për një projekt gjeopolitik, i cili është me dekada Iimenduar, me i thënë që ne e kemi një ide më të mirë, mendoj se është e pamend dhe krejt vendin munden me na fut në një situatë që neve na dëmton shumë.”, ka deklaruar Gorani në Rubikon të Klan Kosovës.
Ai ka thënë se SHBA-ja është aleati kryesor i Kosovës dhe ndonjëherë kërkesat e saj mund të jenë të vështira, por sipas tij, e rëndësishme është rreshtimi.
“Neve nuk na është ofruar një diskutim, por një kërkesë, një thirrje, një apel. Kjo nuk është thirrje për diskutim, kjo është një ndër ato momentet kur ti e kupton sa kushton aleanca. Se çdo aleancë e ka koston e vet, kur ti duhesh të rreshtohesh, se aleancat këto e nënkuptojnë.”, ka shtuar tutje Gorani






