Deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Ardian Gola në një prononcim për Euronews Albania ka thënë se posti i Presidentit s’duhet të përdoret “për të shantazhuar formimin e qeverisë”.
Ai përsëriti një qëndrim të Vetëvendosjes së partitë politike s’duhet të kenë “kërkesa të mëdha për pozita” më shumë sesa përqindja që ia kanë dhënë qytetarët.
“Duhet të intensifikohet dialogu, duhet të shtyhet përpara edhe negocimi, por duhet të kemi parasysh një fakt dhe ajo është që ne jemi në një transformim të kulturës politike ku dialogun politik për të marrë përgjegjësi qeverisëse nuk duhet të përdoret presidenti për të shantazhuar formimin e qeverisë, por përkundrazi duhet që kërkesat në dialogimin për krijimin e koalicionit qeverisës të jenë proporcionale me përqindjen që sovrani ta ka dhënë ty, por nuk mundësh që me 6 a 7 % me pasë kërkesë të mëdha për pozita për kryeministër, etj, siç ka ndodhur në të kaluarën”.
Përveç kësaj, Gola foli edhe për një “kulturë politike” të re ku partitë mësohen që të kërkojnë proporcionalisht sa kanë mandate në Parlament.
“Edhe një pikë tjetër si kulturë politike po kalojmë në Kosovë ku partitë politike në Kosovë gradualisht po mësohen që të kërkojnë që proporcionalisht me atë çfarë iu ka dhënë sovrani dhe të mos përdorin aritmetikën parlamentare për të imponuar formula qeverisëse që e deformojnë vullnetin e qytetarëve”.






