Gjysma e Francës nën alarm të kuq për vapë, ndalohet alkooli në festivalin muzikor në rrugë

- Advertisement -

Të dielën, temperaturat në qytetin jugperëndimor francez të Bordosë arritën në 40°C.

Më herët, autoritetet franceze ndaluan konsumimin e alkoolit në vende publike gjatë Fête de la Musique, një festival kombëtar muzikor që tërheq miliona njerëz në rrugët e vendit, shkruan BBC.

“Për të gjitha aktivitetet e organizuara nga shteti dhe agjencitë e tij, janë dhënë udhëzime që të mos ofrohet alkool”, tha zyra e kryeministrit Sebastien Lecornu.

Kufizimet për konsumimin e alkoolit synojnë “t’i ruajnë shërbimet emergjente dhe ato shëndetësore dhe t’i lejojnë punonjësit mjekësorë të përqendrohen në kujdesin për më të cenueshmit”, tha qeveria.

Temperaturat parashikohet të arrijnë kulmin të hënën dhe autoritetet kanë paralajmëruar se ato mund të barazohen me nivele historike rekord. Alarmi i kuq mbulon një pjesë të madhe të Francës perëndimore dhe qendrore, ndërsa shumë rajone të tjera janë nën alarm portokalli.

Gati 850 shkolla pritet të qëndrojnë të mbyllura të hënën, ndërsa 1.500 të tjera do t’i lejojnë nxënësit të largohen më herët.

Shërbimi meteorologjik francez, Météo-France, tha se është “e pasigurt” se sa do të zgjasë vala e të nxehtit, e cila vlerësohet se prek rreth tre të katërtat e popullsisë.

Për t’i ndihmuar parisienët dhe turistët të përballojnë vapën, autoritetet po i mbajnë parqet dhe kopshtet në kryeqytetin francez të hapura gjatë gjithë natës.

Fête de la Musique organizohet prej më shumë se 40 vitesh dhe mbahet gjithmonë në ditën e solsticit veror.

Vitin e kaluar, rreth dy milionë njerëz morën pjesë në aktivitetet e organizuara në Paris.

Të ngjashme

Të fundit