Gjyqtari zviceran në procesin e krerëve të UÇK-së, kandidat për gjyqtar në Gjykatën që Amerika po e lufton

- Advertisement -

Guénaël Mettraux, gjyqtari që është pjesë e Panelit Gjykues në rastin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka kandiduar për t’u bërë pjesë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC).

Kundër kësaj gjykate, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka nisur një fushatë dobësimi, pasi e sheh si institucion që përpiqet të minojë sovranitetin amerikan, duke ndjekur penalisht ushtarakë e zyrtarë të tjerë të angazhuar në misione të ndryshme në botë.

Mettraux po kandidon nën ombrellën e Zvicrës dhe ka disa muaj që po lobon për të fituar votat e nevojshme.

Ky gjyqtar, në rastin e UÇK-së, ka rënë në sy me qasjen e tij jo fort miqësore ndaj mbrojtjes. Jo pak herë, mbrojtja e ka kundërshtuar për mënyrën se si ka shtruar pyetjet për dëshmitarët, shpesh sugjestive apo të tilla që ngjasojnë me pyetje të prokurorisë.

Guénaël Mettraux shërben si gjyqtar në Gjykatën Speciale në Hagë që nga viti 2017.

Një kapërcim i tij eventual në Gjykatën Penale Ndërkombëtare do të ishte një hyrje në zonë të minuar, në kohën kur superfuqia perëndimore po tenton ta çmontojë si institucion.

“ICC-ja paraqet një kërcënim të papranueshëm ndaj sovranitetit të SHBA-së – ajo pretendon se ka autoritetin për të ndjekur penalisht dhe madje për të burgosur ushtarakë dhe zyrtarë amerikanë që veprojnë në shërbim të interesit kombëtar të Amerikës”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit për nisjen e fushatës.

Një ish-koleg i Mettraux, Nicolas Guillou, që shërbeu si gjyqtar i procedurës paraprake në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ishte në mesin e 11 gjyqtarëve të ICC-së të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Guillou, për gazetën franceze “Le Monde”, kishte folur për ndikimin e këtyre masave në punën dhe jetën e tij të përditshme.

“Ato ndalojnë çdo person ose entitet amerikan, çdo individ ose kompani, si dhe degët e tyre të huaja, të më ofrojnë shërbime. Të gjitha llogaritë e mia me kompanitë amerikane, si Amazon, Airbnb, PayPal etj., janë mbyllur. Për shembull, bëra një rezervim në Expedia për një hotel në Francë dhe, disa orë më vonë, mora një email nga kompania që anulonte rezervimin tim, duke përmendur këto sanksione. Në praktikë, nuk mund të bësh më biznes online, sepse nuk e di nëse paketa që përmban produktin tënd është amerikane. Të jesh nën sanksione është si të të kthejnë në vitet 1990”, thotë ai për gazetën prestigjioze franceze.

ICC-ja u themelua në vitin 2002 nga komuniteti ndërkombëtar për të ndjekur penalisht krimet e luftës, gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit. Selia zyrtare e saj është në Hagë.

Ajo ushtron juridiksion vetëm nëse një shtet anëtar nuk është në gjendje ose nuk dëshiron t’i ndjekë vetë penalisht krimet e rënda. Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë kurrë anëtare të kësaj gjykate. Megjithatë, sipas Reuters, Statuti i ICC-së i jep asaj kompetencën për të ndjekur penalisht krimet e rënda të kryera në territorin e shteteve anëtare nga shtetas të vendeve që nuk janë anëtare.

Të ngjashme

Të fundit