Gjyqtarë nga Sllovakia do ta drejtojnë ndeshjen Kosova – Izraeli të shtunën në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të Ligës B3 të Ligës së Kombeve.
Dueli që nis nga ora 15:00 do të drejtohet nga kryesori Ivan Kružliak, i cili në këtë edicion ka ndarë drejtësinë në dy duele të Ligës së Kampionëve, në Ligën e Kombeve dhe në kualifikueset për garat evropiane të klubeve.
42-vjeçari është gjyqtar i rregullt në garat e kombëtareve dhe klubeve, në Evropë.
Si gjyqtarë anësorë janë emëruar bashkëkombësit e tij Branislav Hancko dhe Jan Pozor.
Edhe detyra e gjyqtarit të katërt i është besuar një sllovaku, Peter Kraloviq, kështu që pjesa kryesore e ekipit të arbitrimit në fushë do të jetë nga Sllovakia.
Për sistemin VAR, UEFA ka caktuar skocezin Andrew Dallas, ndërsa ndihmës i tij do të jetë sllovaku Martin Dohal.






