Ai ka vlerësuar se Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po i bëhet një padrejtësi e madhe.

Në një intervistë për “Ekonomia Online”, ai ka bërë me dije se mënyra se si po trajtohen ish-krerët e UÇK-së është një turp për drejtësinë ndërkombëtare.

“Gjithmonë kam qenë një admirues i madh i gjykatës në Hagë. Kam shkuar atje për të dëshmuar kundër Millosheviçit. Ndjej shumë fort që ajo që ka ndodhur këtu duhet të zbulohet përsëri para botës, dhe një proces gjyqësor është mënyra më e mirë për ta bërë këtë. Megjithatë, procesi që i është imponuar Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit dhe Kadri Veselit nuk është drejtësi. Sipas mendimit tim, është një padrejtësi. Të kesh një hetim që zgjat pothuajse dhjetë vjet, pastaj një ndjekje penale që zgjat mbi tre vjet, dhe të mbash të akuzuarit në paraburgim duke u dhënë shumë pak qasje në botë, për mua është një krim”, ka thënë ai.

Ish-ambasadori ka theksuar se Dhomat e Specializuar në Hagë po e shkelin çdo parim të drejtësisë.

“Vërtet ndjej se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë nuk po demonstron drejtësi. Po demonstron të kundërtën. Sipas mendimit tim, dhe mendoja edhe sipas sistemit të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara dhe në gjithë botën ku ka drejtësi, i akuzuari konsiderohet i pafajshëm derisa të dënohet. Dhe ti nuk e fut dikë në burg për tre vjet ndërkohë që po zhvillon një gjyq me 400 dëshmitarë”, është shprehur ai.

Walker gjithashtu ka kritikuar qasjen kufizuese të Gjykatës Speciale ndaj vizitorëve.

Ish-diplomati amerikan ka treguar se ka tentuar të realizon një vizitë në Hagë, por i është bërë e pamundur një gjë e tillë.

“Thjesht mendoj se ajo që po ndodh në Hagë është një turp. Dhe e them këtë, por për shembull, kam kërkuar të shoh nëse mund të vizitoja dhe të përshëndesja ish-presidentin, ish-kryetarin e Kuvendit. Dhe më është thënë, është shumë e komplikuar. Nuk i lejojnë vizitorët pa lloj-lloj kufizimesh. Të mendosh se duhet të mbash në paraburgim një ish-president, një ish-kryetar Kuvendi, sepse mund të arratisen apo të intimidojnë dëshmitarët, është absurde. Prandaj, komentet e mia për procesin në Hagë janë shumë negative”, ka theksuar Wolker