Gjykata lë në paraburgim 9 të arrestuarit për mashtrim në sektorin e naftës

- Advertisement -

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj nëntë të pandehurve, të dyshuar për disa vepra penale, përfshirë shpëlarje parash, kontrabandim të mallrave në bashkëkryerje, pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, mbajtje të paautorizuar të armëve dhe falsifikim të parasë.

Sipas njoftimit të gjykatës në Facebook, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës duke caktuar paraburgim njëmujor ndaj të pandehurve me inicialet F.M., F.M., S.K., N.B., D.M., A.M., M.M., N.M. dhe G.Q.

Gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është e nevojshme, pasi ekziston rreziku që të dyshuarit, nëse lihen në liri, të arratisen për t’iu shmangur përgjegjësisë penale ose të pengojnë zhvillimin e procedurës.

“Gjykata gjithashtu konsideron se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit lirshëm të vazhdojnë komunikimet e tyre dhe bashkëpunimin për të vazhduar kryerjen e veprave penale apo veprave të reja penale. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme

Të fundit