Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak ndaj të pandehurit Naser Hafizi.
Lidhur me këtë vendim që është marrë, më 6 mars, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se masa e arrestit shtëpiak ndaj Havizit do të mbetet në fuqi deri më 6 prill 2025.
Naser Hafizi, ushtrues i detyrës i drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ishte në paraburgim që nga tetori i vitit të kaluar.
Edhe avokati i tij, Ahmet Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar të enjten mbrëma se Havizi është liruar nga paraburgimi.
Sot, drejtësia vendosi që ta lirojë Naser Hafizin nga masa e paraburgimit sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Si avokat i tij, jam i bindur që edhe epilogu përfundimtar i këtij procesi gjyqësor do të jetë pafajësia e tij”, ka shkruar Tahiri.
Hafizi ishte arrestuar më 10 tetor 2024 në Aeroportin e Prishtinës, pasi Prokuroria Speciale kishte njoftuar se ai nuk ishte gjetur në vendbanimin e tij gjatë një aksioni, më 8 tetor. Që nga ajo kohë, ai mbahej në paraburgim.