Deklarata e Rashiqit për Asociacionin, Deputetja e LVV’së: Nuk e përfaqëson qëndrimin e Qeverisë së Kosovës

- Advertisement -

Deputetja e LVV’së, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, ka reaguar lidhur me deklarimet  ministrit Nenad Rashiq, i cili ka thënë se Qeveria e Kosovës është më e gatshme të lëviz drejt Asociacionit, pas ndryshimeve politike në Serbi dhe rënies së Aleksander Vuçiqit, shkruan Express.

Ajo ka thënë se deklarata e Nenad Rashiq nuk e përfaqëson qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe se dihet mjaftë mirë se cili është qëndrimi i LVV’së dhe Qeverisë Kurti për Asociacionin.

“Nëse Qeveria aktuale, e cila ka udhëhequr me vendin gjatë pesë vjetëve të fundit, do të kishte qenë e interesuar ta shtynte përpara çështjen e Asociacionit, besoni që tashmë do të kishim folur për raportin e pesë vjetëve të implementimit të Asociacionit dhe nuk do të kishim qenë në situatën se a është apo nuk është. E dini mjaft mirë cili është qëndrimi i VV-së për këtë çështje dhe çfarëdo lloj deklarate tjetër që bie në kundërshtim me të, nuk e përfaqëson qëndrimin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kryeziu-Hyseni.

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, në një intervistë për Gazetën Express ka thënë se pas fitores së Listës së Studentëve në Serbi Qeveria e Kosovës është më e gatshme për Asociacionin.

“Shiqo, është një obligim si çdo pikë që është brenda marrëveshjeve dhe nuk mund të zhduket, ato janë në tavolinë dhe vetëm varet prej nesh se kur do të veprojmë në atë drejtim. Konsideroj që Qeveria e Kosovës, ku edhe unë jam pjesë e saj, besoj që është më e gatshme tani, në një moment edhe pothuajse revolucionar apo historik, ku mund ndoshta marrëdheniet mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrijnë një nivel pak më ndryshe. Sipas meje, ky është momenti kur të gjithë ne duhet të japim kontributin dhe të jemi të armatosur me durim, tolerancë dhe bashkëkuptim”, ka thënë Rashiq për Express.

Të ngjashme

Të fundit