Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka kërkuar nga ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu që ta nënshkruajë dekretin për emërimin e anëtarit të dytë të kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Gjoshi shkroi në Facebook se “mosemërimi i përfaqësuesit të PDK-së do të ishte shkelje e Kushtetutës së Kosovës, por edhe dëmtim i përfaqësimit opozitar në institucionin e zgjedhjeve dhe rrezikim i legjitimitetit të zgjedhjeve”.
“Zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë mbajtur për KQZ, por për Kuvendin e Kosovës, në të cilin kanë arritur të hyjnë 4 grupe parlamentare. Andaj, në rrethana të tilla, meqenëse pas këtyre zgjedhjeve në Kuvend ishin vetëm 4 grupe parlamentare shqiptare, pra në mungesë të numrit të mjaftueshëm prej 6 grupeve, anëtarët shtesë emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare, që në këtë rast janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës”, shkroi ai.
“Kosova ka nevojë për zgjedhje të lira, të drejta dhe të pranuara nga të gjithë akterët politikë dhe qytetarët, e jo zgjedhje, legjitimiteti i të cilave do të vihej në pikëpyetje. Askush nuk duhet që të shfrytëzojë KQZ-në për të arritur qëllime politike përmes përfaqësimit jokushtetues. Askush nuk mund ta përdorë KQZ-në për përfitime politike, në kundërshtim me rendin kushtetues”, shtoi Gjoshi.






