Gjocaj: Kurti ka qenë “investues i madh” te informacionet e Gjykatës Speciale

- Advertisement -

Veterani i UÇK-së, Shpend Gjocaj, në emisionin “Kosova Today” ka hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e cilësuar atë si “investues të madh” në raport me Gjykatën Speciale.

Ai ka kritikuar qeverinë për, siç tha, mungesë të mbështetjes morale dhe politike ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

Gjocaj, gjatë një prononcimi, tha se sipas tij Kurti dhe disa ministra të qeverisë së tij kanë bashkëpunuar me Gjykatën Speciale dhe se janë dorëzuar materiale në këtë institucion.

“Investuesi gjithmonë i di edhe rezultatet dhe i ka informatat e investimeve të tyre. Në këtë rast, Albin Kurti ka qenë investues i madh te informacionet e Gjykatës dhe, si investues, ka të drejtë morale t’i kërkojë ndonjë…”, u shpreh Gjocaj.

Ai pretendoi se edhe ministra të Qeverisë Kurti janë deklaruar publikisht se kanë dërguar lëndë në Gjykatën Speciale.

“Ne kemi ministra në Qeverinë Kurti që kanë dalë publikisht se do të çojnë lëndë në Gjykatën Speciale, ata kanë dërguar lëndë atje. Kur them investim, e kam parasysh që ka ministra në këtë qeveri që kanë deponuar lëndë në Gjykatën Speciale. Ka ministra dhe kryeministri, ndër të tjerë, që kanë bashkëpunuar me këtë gjykatë”, deklaroi ai në Klan Kosova.

Gjocaj përmendi edhe ministren në detyrë të Drejtësisë, Donika Schwartz, duke thënë se ministrat që, sipas tij, kanë deponuar materiale në Gjykatën Speciale, janë deklaruar për këtë edhe në media.

Ai e kritikoi Kurtin edhe për qëndrimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

“Një kryeministër që për gjashtë vjet nuk mundet me i dhënë tri nënshkrime me shku me i vizitu njerëzit e vet në Hagë, një kryeministër që nuk është në gjendje me dhënë një deklaratë në mbështetje të tyre, po shihet gjithë kjo padrejtësi, keqpërdorim dhe abuzim me ata njerëz dhe nuk është në gjendje një deklaratë”, tha Gjocaj.

Sipas tij, mungesa e mbështetjes së Qeverisë ndaj çlirimtarëve e shtyn atë të dyshojë për rolin e Kurtit.

“Një kryeministër, një qeveri që nuk e ka bërë asnjë hap përpara, qoftë moral, atëherë pse nuk duhet të mendoj që është investues?”, deklaroi ai.

Gjocaj shtoi se Kurti, sipas tij, në të kaluarën i ka cilësuar si “kriminelë” disa prej personave që sot po përballen me proceset në Hagë.

“Një kryeministër që i ka quajtur kriminelë njerëzit që janë atje sot, një kryeministër që iu ka bërë thirrje ambasadorëve të botës ‘arrestojeni se këta janë kështu, ashtu’, pse të mendoj ndryshe?”, përfundoi veterani i UÇK-së.

Të ngjashme

Të fundit