Federata e Futbollit e Kosovës i ka reaguar në mënyrë indirekte selektorit të kombëtares së Austrisë, Ralf Rangnick me një postim në rrjetet sociale.
Rangnicku e kritikoi gjendjen e fushës së stadiumit “Fadil Vokrri”, në konferencën e sontme për shtyp, para ndeshjes Kosovë – Austri, që luhet nesër.
Trajneri austriak tha se është e pakuptimtë gjendja e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Në Vjenë luajtëm në një terren të freskët, të sapo rinovuar. Në Prishtinë kam parë një terren jo shumë të mirëmbajtur. Është e pakuptimtë. Moti është i mirë dhe terreni duhej të ishte në nivel”, tha ai sot.
Si kundërpërgjigje, Federata e Futbollit e Kosovës postoi disa foto të stadiumit, një ditë para ndeshjes me Austrinë.
“Një ditë para ndeshjes! Në stadiumin “Fadil Vokrri” gjithçka është gati për duelin Kosovë – Austri. Shtëpia e Dardanëve pritet të jehojë nga zëri i tifozëve! Nesër, të gjithë bashkë për Kosovën! FORCA DARDANË!”, ka shkruar FFK-ja.
Reagim direkt ndaj austriakut pati selektori i kombëtares dardane, Franco Foda që tha se fusha është e njëjtë për dy palët.
“Fusha nuk është në gjendje shumë të mirë, për shkak se gjatë verës shumë ekipe kanë luajtur këtu. Ne e dimë që kjo gjendje e fushës vlen për të dyja ekipet. E kuptoj kritikën e Rangnickut”, tha Foda.
Ndeshja Kosovë – Austri luhet nesër, me fillim nga ora 18:00, në “Fadil Vokrri”.






