Gjiganti i Ligës Premier ofron 150 milionë euro për transferimin e Vinicius Junior

- Advertisement -
Manchester City po përgatitet të bëjë një nga goditjet më të mëdha të afatit kalimtar të verës, duke synuar transferimin e yllit brazilian të Real Madridit, Vinicius Jr.

Sipas raportimeve, klubi anglez është gati të paraqesë një ofertë prej 150 milionë eurosh për sulmuesin 25-vjeçar, ndërsa synon të shfrytëzojë situatën e paqartë të kontratës së tij me klubin madrilen.

Vinicius ka kontratë me Real Madridin deri në verën e vitit 2027, por ende nuk ka arritur marrëveshje për rinovimin.

Kjo do të thotë se ai do të hyjë në dy vitet e fundit të kontratës pa një akord të ri, duke shtuar pasigurinë rreth së ardhmes së tij në “Santiago Bernabeu”.

Presidenti Florentino Perez dëshiron ta blindojë sa më shpejt brazilianin, por negociatat thuhet se kanë ngecur për shkak të kërkesave financiare të lojtarit.

Vinicius kërkon një pagë neto prej rreth 30 milionë eurosh në sezon për të firmosur kontratën e re, një shifër që drejtuesit e Real Madridit nuk janë të gatshëm ta pranojnë.

Pas dy sezoneve radhazi pa fituar titullin e Ligës Premier, drejtuesit e Manchester Cityt besojnë se skuadra ka nevojë për një tjetër yll botëror për të rikthyer dominimin në Angli dhe Evropë.

Trajneri Enzo Maresca, i cili mori drejtimin e ekipit pas largimit të Pep Guardiolës, e konsideron Viniciusin si përforcimin ideal për repartin ofensiv.

Në projektin e tij, braziliani do të formonte një treshe spektakolare së bashku me talentin francez Rayan Cherki dhe bomberin norvegjez Erling Haaland, duke krijuar një nga sulmet më të frikshme në futbollin evropian.

Një tjetër faktor që mund të ndikojë në vendimin e brazilianit është ardhja e Kylian Mbappes në Real Madrid.

Me transferimin e francezit, Vinicius nuk konsiderohet më figura kryesore e projektit sportiv të klubit, ndërsa raportet sugjerojnë se ai nuk është plotësisht i kënaqur me rolin e ri që ka marrë brenda skuadrës.

Në Manchester City, braziliani do të kishte mundësinë të ishte sërish lideri absolut i projektit, me lojën sulmuese të ndërtuar rreth shpejtësisë, driblimeve dhe aftësive të tij krijuese.

Sezonin e kaluar, Vinicius zhvilloi edhe një tjetër edicion të shkëlqyer me fanellën e Real Madridit, duke regjistruar: 22 gola në të gjitha garat, 14 asistime, 53 ndeshje të zhvilluara.

Këto statistika e konfirmojnë brazilianin si një nga sulmuesit më të mirë në botë dhe një objektiv ideal për çdo klub elitar.

Mbetet të shihet nëse Manchester City do ta konkretizojë ofertën prej 150 milionë eurosh dhe nëse Real Madridi do të jetë i gatshëm të negociojë largimin e një prej yjeve të tij më të mëdhenj.

Të ngjashme

Të fundit