Vetëm gjashtë ditë para aktgjykimit të 16 shtatorit, Oda e Mjekëve të Kosovës i është bashkuar mesazhit të solidaritetit dhe mbështetjes për çlirimtarët, duke vendosur në objektin e saj një flamur gjigant me emblemën e UÇK-së dhe mbishkrimin “Liria ka emër”.
Flamuri është vendosur në fasadën e objektit të Odës, duke u bërë pjesë e aktiviteteve dhe mesazheve publike që po zhvillohen në prag të vendimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Ky solidarizim vjen në një kohë kur institucione, organizata, biznese, artistë, veteranë dhe qytetarë po bashkohen rreth një mesazhi të përbashkët për drejtësi, liri dhe mbrojtjen e historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Vendosja e flamurit vetëm pak ditë para aktgjykimit bart edhe një mesazh të fuqishëm simbolik: liria e Kosovës ka një histori, një sakrificë dhe një emër që nuk harrohet.
Aktivitetet vazhdojnë drejt Marshit për Liri, që do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Gjashtë ditë para vendimit, mesazhi po bëhet gjithnjë e më i madh: Liria ka emër.






