Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se mungesa e stabilitetit politik dhe mungesa e perspektivës ekonomike dhe evropiane po e rrit ankthin e kosovarëve për të ardhmen e tyre.
Sipas tij, masat ndëshkuese nga Bashkimi Evropian dhe paralajmërimet për luftë eventuale me Serbinë fusin ankth dhe panik tek qytetarët.
“Në Kosovë po ndodh një largim masiv, por këtë herë në heshtje dhe pa shumë vëmendje. Pamjet nga pritjet në Aeroportin “Adem Jashari” dhe aeroporte të rajonit, e në veçanti Aeroporti i Shkupit gjatë gjithë vitit, tregojnë për një vlugë të largimit nga Kosova. Ndërsa qeveria e justifikon këtë me pushimet verore apo vizitat familjare, realiteti është më i komplikuar. Kjo ikje është reflektim i mungesës së perspektivës dhe ngulfatjes që shumë të rinj dhe profesionistë po përjetojnë në vendin tonë”, ka thënë Gërxhaliu.
“Kjo ikje e heshtur përfaqëson një krizë të thellë mungese mundësish dhe shprese. Të rinjtë e diplomuar dhe profesionistët po largohen pa zhurmë drejt vendeve të BE-së dhe përtej. Largimi i tyre është më i rrezikshëm se ndonjë eksod masiv, pasi ndodh pa u vënë re dhe pa reagim nga institucionet. Largimi po shkatërron ekonominë e Kosovës. Sektori privat po përballet me sfida të mëdha për të gjetur punonjës të aftë, ndërkohë që bizneset po mbyllen për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe klientëve. Ikja e konsumatorëve dhe fuqisë blerëse po e varfëron më tej ekonominë tonë, duke e bërë të varur nga remitancat”.
Ish-kreu i OEK-ut ka përmendur edhe largimin përmes Aeroportit “Adem Jashari”. Ka thënë se ka rritje mbi 60 për qind.
“Fluturimet nga Aeroporti “Adem Jashari” janë rritur me 60% krahasuar me vitin e kaluar, pa përfshirë ata që largohen përmes Shkupit. Ndërsa qeveria nuk ka marrë masa për ta adresuar këtë krizë, duket se prioritetet e institucioneve janë të tjera. Përmes gjobave ndaj bizneseve, duket se po kontribuojnë në zbrazjen e mëtejshme të vendit. Situaten aktuale e rëndin edhe më tepër lajmi se në verën e ardhshme është paralajmëruar zbatimi edhe i Sistemit të dytë Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i cili u kërkon udhëtarëve nga vendet që kanë regjim pa viza me BE-në, të aplikojnë online për lejen e hyrjes. Nëse kjo gjendje vazhdon, Kosova do të humbasë një pjesë të madhe të kapitalit të saj njerëzor, duke u kthyer në një vend me pak mundësi reale për të rinjtë dhe profesionistët. Ky largim i heshtur është një krizë që po minon themelet e shoqërisë dhe ekonomisë sonë”, ka shkruar ai.