Gërvalla: Siguria dhe mbështetja e viktimave është qenësore dhe e pa kompromis

- Advertisement -

Siguria dhe mbështetja e viktimave është qenësore dhe e pa kompromis.

Kështu është shprehur Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla gjatë ceremonisës së certifikimit të gjeneratës së dytë të fasilitatorëve/lehtësuesve për “Programin Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave”.

Gërvalla ka bërë të ditur se programi do të shtrihet në të gjitha qendrat korrektuese të Kosovës.

Njoftimi i plotë:

U certifikua gjenerata e dytë e fasilitatorëve/lehtësuesve për “Programin Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave”

Siguria dhe mbështetja e viktimave është qenësore dhe e pa kompromis, përderisa kryerësit e dhunës duhet të marrin dënimin e merituar. Mirëpo, nuk mjafton të punohet vetëm me viktimën, përderisa kryerësi i dhunës mbetet me mendësinë e njëjtë dhunuese dhe vazhdon ciklin e dhunës. Prandaj, Kosova ka parë të domosdoshme që të luftoj dhunën edhe nga ana tjetër, ajo e dhunuesit, sepse vetëm një burrë i lig, i dobët, ngre dorë mbi një grua, e aq më pak mbi gruan e tij.

Që nga viti 2024 Programi Kombëtar po zbatohet në mënyrë efektive në Burgun e Dubravës, e sot duke certifikuar gjeneratën e dytë të fasilitatorëve/lehtësuesve, Programi do të shtrihet në të gjitha qendrat korrektuese të Kosovës. Për më tepër, jemi shumë krenar që në fillim të këtij qershori, Ministria e Drejtësisë prezanton progresin e arritur në këtë fushë në konferencën ndërkombëtare të Këshillit të Evropës që do të zhvillohet në Budapest.

Të dashur fasilitatorë, ju përgëzoj për përfundimin me sukses të këtij certifikimi dhe për gatishmërinë që të merrni përsipër një rol kaq të rëndësishëm dhe sfidues.

Ju do të punoni në rrethana jo gjithmonë të lehta, prandaj nga ju presim që këtë program ta zbatoni me përgjegjësi të lartë dhe në çdo sesion të keni në mendje sigurinë dhe mirëqenien e viktimave dhe të mbarë shoqërisë sonë. Uroj të ndiheni krenar që përmes punës dhe angazhimit tuaj ju po kontribuoni në ndryshimin që shoqëria jonë ka aq shumë nevojë ta shohë dhe ta ndjejë duke ndikuar që gratë të jetojnë pa dhunë dhe fëmijët të rriten në ambiente të sigurta dhe të ngrohta.

Falënderoj Këshillin e Evropës për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe përkrahjen e Ministrisë së Drejtësisë në këtë proces kaq të rëndësishëm. Po ashtu, bashkëpunimi me institucionet e tjera është qenësor për zbatimin efektiv të Programit Kombëtar, prandaj ne mbetemi të përkushtuar të punojmë se bashku tutje për të zgjeruar dhe zbatuar Programin në gjithë vendin.

Luftimi i dhunës ndaj grave është përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore. Vetëm përmes bashkëpunimit, përkushtimit dhe veprimit të vazhdueshëm mund të ndërtojmë një shoqëri ku çdo grua dhe vajzë jeton e lirë nga dhuna, me dinjitet, siguri dhe plotësisht e pavarur dhe e barabartë.

Të ngjashme

Të fundit