Nora Visoka – Weller është rekomanduar që të emërohet shefe e Misionit të Posaçëm të Kosovës në Greqi. Rekomandimi është bërë përmes një letre të nisur nga kryediplomatja Donika Gërvalla te Komisioni për Punë të Jashtme.
Visoka – Weller, njëkohësisht është edhe bashkëshortja e MarcWeller, personit që e ka këshilluar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në dialogun me Serbinë.
Nacionale ka siguruar letrën në fjalë ku i kërkohet Komisionit Për Punë të Jashtme që të mbajë seancë të mbyllur dëgjimore për të verifikuar plotësimin e kritereve që janë të përcaktuara sipas ligjit.
Ndërkohë, Nacionale mëson se mbledhja e ardhshme e komisionit do të mbahet pikërisht këtë të hënë, me fillim nga ora 11:00.
Kohë më parë ndërkaq, Kurti kishte lavdëruar Weller, i cili e ka këshilluar Qeverinë në procesin e dialogut me Serbinë.
Madje, shefi i ekzekutivit ishte shprehur se “gjatë bisedimeve në takimin e Ohrit ka diskutuar vetëm me të”.
Visoka – Weller është avokate dhe ka përvojë në diplomaci ndërkombëtare.
Më herët, në Kosovë ajo ka punuar si këshilltare për trashëgiminë kulturore fetare me fokus të veçantë në pozitën e Kishës Serbe Ortodokse në vend.
Ajo ka mbajtur edhe pozita të tjera në Kosovë si këshilltare ndërkombëtare.
Sa i përket Marc Weller, kohë më parë ai kishte shpjeguar pikëpamjen e tij për marrëveshjen e Brukselit.
Weller theksonte se është hequr termi “vetëqeverisje”, e në vend të tij përdoret “vetëmenaxhim”.
“Neni 7, apo në fakt e gjithë Marrëveshja Bazë nuk e përmend fare termin Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe, madje me asnjë fjalë. Ky koncept tash është modifikuar me një diçka që tingëllon si një referencë modeste për “vetëmenaxhimin” për komunitetin serb në Kosovë. Në versionin përfundimtar të nenit 7, termi “vetëmenaxhim” e ka zëvendësuar fjalën “vetëqeverisje” që u gjet në versionin e parë të propozimit të Marrëveshjes Bazë, që i nënvizon funksionet më modeste që janë paraparë.” – vlerësoi ai.
Madje, në shkrimin e tij, ai ishte shprehur se kjo marrëveshje bazë e qartëson çka nënkuptohet me vetëmenaxhim.
“Neni 7 është gjithashtu i dobishëm, ngase e qartëson se funksioni i koordinimit mes komunave me shumicë serbe ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve. Kjo do të thotë se fokusi i koordinimit është që të ofrohen shërbime brenda komunave anëtare, e jo politika të gjera që shkon përtej kompetencave teknike që u takojnë komunave.” – shkruante tutje z. Weller.