Hoxhaj: Lufta speciale kundër Kosovës duhet të marrë fund më 16 shtator

- Advertisement -

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se lufta speciale kundër Kosovës duhet të përfundojë më 16 shtator me lirimin e plotë të ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe kthimin e tyre në vend.

Në konferencën kombëtare “Lufta për UÇK-në”, të organizuar nga platforma qytetare “Liria ka emër”, Hoxhaj ka thënë se lufta e armatosur e popullit të Kosovës përfundoi më 12 qershor 1999, ndërsa ajo diplomatike u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë më 2008.

“Lufta speciale kundër Kosovës duhet të marrë fund më 16 shtator. Ne nuk presim asnjë alternativë tjetër përveç lirimit të të gjithë udhëheqësve të UÇK-së dhe kthimit të tyre në Kosovë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ai ka theksuar se populli i Kosovës ka luftuar pothuajse një shekull për liri dhe pavarësi, ndërsa UÇK-në e ka cilësuar si të vetmen ushtri çlirimtare, lufta e së cilës është certifikuar nga NATO-ja.

“Lufta e UÇK-së është e vetmja luftë çlirimtare e certifikuar nga NATO-ja. Edhe pavarësia e Kosovës ishte rezultat i një sovraniteti të merituar, falë kushteve dhe kritereve që i përmbushëm si popull para dhe pas shpalljes së saj”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka kritikuar pretendimet e Prokurorisë së Specializuar në Hagë, duke thënë se përmes teorisë së ndërmarrjes së përbashkët kriminale po bëhet përpjekje të kriminalizohen si ideja e çlirimit, ashtu edhe ajo e pavarësimit të Kosovës.

“Çlirimi dhe pavarësimi i vendit, përtej dallimeve tona politike, kanë qenë projekt kombëtar. Prandaj, e vetmja drejtësi e pranueshme është lirimi i plotë i të gjithë udhëheqësve të UÇK-së dhe kthimi i tyre në Kosovë”, ka përfunduar Hoxhaj.

Konferenca është mbajtur në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Të ngjashme

Të fundit