Steven Gerrard i bëri të qarta ndjenjat e tij në debatin mes tij, Paul Scholes dhe Frank Lampard, teksa bëri një renditje të verbër të mesfushorëve më të mirë të Premierligës për “SPORTbible”.
Në vitet 2000, Anglia shijoi një “Gjeneratë të Artë”, me një mesfushë që shumë e konsiderojnë si një prej më të mirave të të gjitha kohërave, të përbërë nga Scholes i Manchester Unitedit, Lampard i Chelseat dhe Gerrard i Liverpoolit.
Natyrisht, fakti që vinin nga rivalë të ndryshëm në Premierligë ka bërë që debati se cili prej tyre ishte lojtari më i mirë të vazhdojë vazhdimisht dhe tani vetë Gerrard i është përgjigjur kësaj pyetjeje.
Edhe pse nuk fituan kurrë një trofe madhor së bashku me Anglinë, Scholes, Lampard dhe Gerrard janë ndër lojtarët më të suksesshëm në historinë e Premierligës.
Me Unitedin, Scholes fitoi 11 tituj të Premierligës, dy Liga të Kampionëve dhe tre FA Cup.
Lampard fitoi tre tituj të Premierligës, një Ligë të Kampionëve, një Ligë të Evropës dhe katër FA Cup me Chelsean.
Ndërkohë, Gerrard fitoi një Kupë UEFA, dy FA Cup, tre League Cup dhe trofeun ikonik të Ligës së Kampionëve në vitin 2005 me Liverpoolin, por, të paktën për momentin, e përfundoi karrierën pa një titull të Premierligës.
Prandaj, nuk është befasi që shumë njerëz e kanë të vështirë t’i ndajnë treshen, por kur u kërkua të bënte renditjen e tij të verbër të 10 mesfushorëve më të mirë të Premierligës, Gerrard mori vendimin e tij.
Pavarësisht se kishte ende pjesën më të madhe të listës për të plotësuar kur emri i Scholes doli, ishte e qartë se Gerrard nuk ishte shumë i kënaqur me opsionet e tij, pasi e vendosi ish-mesfushorin e Manchester Unitedit në vendin e shtatë.
Në atë moment, Scholes ishte pas Kevin De Bruynes (i pesti) dhe Cesc Fabregasit (i gjashti), por para Rodrit, të cilin e kishte vendosur në vendin e nëntë.
Më pas erdhi Lampard, të cilin Gerrard, me mjaft siguri, e vendosi para grupit të Scholes, Fabregasit dhe De Bruynes, në vendin e katërt.
Dhe kur emri i tij doli si i fundit në renditjen e verbër, Gerrard u detyrua ta vendoste veten në vendin e dytë.
Edhe pse disa mund të mendojnë se fakti që Gerrard doli mbi Scholes dhe Lampard në këtë debat ishte thjesht për shkak të natyrës së formatit të renditjes së verbër, nuk ishte kështu, pasi legjenda e Liverpoolit pranoi se do të dëshironte të kishte mundur ta vendoste veten në vendin e parë.
Megjithatë, siç ndodh shpesh në renditjet e verbra, Gerrard duket se e kishte përdorur shumë herët zgjedhjen për vendin e parë, pasi në zgjedhjen e tij të gjashtë, çuditërisht emëroi Roy Keane si mesfushorin më të madh në historinë e Premierligës.
Duke pasur parasysh se Keane ka luajtur për Manchester Unitedin, ndoshta rivalin më të madh të Liverpoolit, jo shumë njerëz do të prisnin që Gerrard ta zgjidhte irlandezin si zgjedhjen e tij të parë, por ai shpjegoi saktësisht pse Keane e meritonte vendin e parë.
“Gjithmonë kam qenë një fans i madh i tij, e kam parë shumë,” tha Gerrard për “SPORTbible”.
“Ai është tipi i lojtarit me të cilin do të doja të luaja përkrah, mendoj se do të ishim përshtatur shumë mirë së bashku. Kam mësuar shumë prej tij, edhe pse ishte lojtar i Unitedit, dhe e kam ndjekur edhe me Irlandën. Jam fans i madh”, tha ai tutje.
Renditja e mesfushorëve më të mirë në Premierligës, sipas Gerrardit, nga numri 10 te numri një (te poshtë):
Bruno Fernandes (Manchester United)
Rodri (Manchester City)
N’Golo Kante (Chelsea)
Paul Scholes (Manchester United)
Cesc Fabregas (Arsenal)
Kevin De Bruyne (Manchester City)
Frank Lampard (Chelsea)
Patrick Vieira (Arsenal)
Steven Gerrard (Liverpool)
Roy Keane (Manchester United).






