Njohësi i çështjeve të sigurisë, Hysen Gecaj, ka paralajmëruar se pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë mund të ketë tentativa për destabilizimin e Kosovës, duke vlerësuar se Serbia dhe shtete të tjera që nuk janë mike të Kosovës mund ta shfrytëzojnë situatën dhe emocionet e qytetarëve për destabilizim.
Gecaj për “Ekonomia Online” ka thënë se një reagim i tillë nga Serbia ka qenë i pritshëm, pavarësisht epilogut të procesit gjyqësor, ndërsa ka theksuar se institucionet e sigurisë së Kosovës kanë ndërtuar kapacitete profesionale për menaxhimin e situatave të tilla.
“Kompleksiteti i sigurisë vetvetiu kërkon që gjërat të paraprihen shumë më herët sesa që ato ndodhin. Dhe për Kosovën kjo nuk do të duhej të kishte qenë befasi, për shkak se e dimë që Serbia është kujdestare permanente për ta futur Kosovën në një turbullirë çfarë ajo do të dëshironte. Prandaj, duke e ditur që do të ketë një gjykim, është e ditur që do të ketë edhe një tentativë nga ana e Serbisë, po edhe jo vetëm e Serbisë, se është këtu edhe Rusia, janë edhe fuqi të tjera të cilat nuk i janë mike të Kosovës, është e pritur që do të ketë një tentativë për të destabilizuar Kosovën. Dhe pa marrë parasysh epilogun përfundimtar të gjykatës, ka qenë e ditur që do të ketë opsione dhe mënyra se si do të reagojë Serbia. Edhe po të dënoheshin, edhe po të mos dënoheshin, ose do të liroheshin me një dënim fare të lehtë, të gjitha këto opsione ata paraprakisht i kanë marrë parasysh dhe janë të gatshëm për të reaguar në ato opsione. Zaten këtë e bëri Vuçiqi, menjëherë pas që ndodhi verdikti i fundit për luftëtarët tanë, komandantët dhe udhëheqësit politikë, dhe ai doli me një qëndrim politik i cili në njërën anë i gëzohej asaj që ndodhi, faktikisht, po në tjetrën anë ankohej pse nuk u cilësua si krim kundër njerëzimit ky veprim i katër personave”, tha ai.
Gecaj ka shprehur gjithashtu qëndrimin e tij kritik ndaj mënyrës së themelimit të Gjykatës Speciale, duke thënë se shpreson që procesi në apel të sjellë një rezultat ndryshe për katër të dënuarit në shkallë të parë.
“Por është fare e qartë që sado që kjo gjykatë është politike, sepse është e themeluar me një vendim politik, dhe kjo që në fillim na ka bërë me dyshuar që këtu edhe vendimet përfundimtare të gjykatës mund të jenë politike. Kur themi kështu, atëherë nënkuptojmë që profesionalizmi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve dhe i gjithë stafit që merret me këtë çështje nuk do të jetë shumë i sinqertë dhe shumë real. Unë shpresoj që në apel do të ketë një avancim në dobi të katër të akuzuarve edhe të dënuarve në shkallë të parë, mirëpo kjo nuk është ajo zgjidhja e duhur dhe është një gabim, siç e thashë prej fillimit kur është themeluar kjo gjykatë mbi bazat e vendimeve politike”, tha ai.
Ai ka krahasuar vuajtjet e popullit së Kosovës gjatë luftës me pretendimet për krime të trajtuara në procesin gjyqësor në Hagë.
“Të krahasohet një luftë çlirimtare me një luftë që e ka bërë pala tjetër kriminale, dhe jo vetëm këtu në Kosovë, se po të kishte ndodhur vetëm në Kosovë mbase opinioni do të ishte mashtruar pak më lehtë, por ne e dimë fare mirë sa krime i ka bërë Serbia në Kroaci, sa krime i ka bërë në Bosnje-Hercegovinë, sa krime i ka bërë pastaj në Kosovë. Tani flitet këtu diku për një numër rreth 300 vetë, të cilët paskan pasur vrasje dhe ankesa në trajtimin e tyre gjatë luftës në Kosovë, ku për fat të keq edhe ironisë së keqe përmendet trajtimi i keq, hapësirat kur nuk kanë qenë të mjaftueshme, komoditeti nuk ka qenë mirëpo unë befasohem se si kjo gjykatë nuk e kupton që ka qenë një situatë lufte kur vetë këta ushtarë të UÇK-së nuk kanë pasur vend edhe hapësirë ku me fjetur, nuk e kanë pasur ushqimin e duhur”, tha ai.
Gecaj ka thënë se, sipas tij, raporti mes rasteve të trajtuara në Hagë dhe viktimave të luftës në Kosovë ngre pikëpyetje për drejtësinë e procesit.
“Sepse të krahasohen 300 vetë të persekutuar, të trajtuar keq dhe disa vrasje që nuk e dimë se kush janë ata të vrarë dhe si janë të vrarë, me vuajtjet e popullit, që në qoftë se e themi në numra i kemi 1047 fëmijë të vrarë, 1047 fëmijë të vrarë. A nuk është qesharake kjo shifër, 300 vetë me 1047 fëmijë të vrarë? Bëjeni këtë krahasim. Ku ka atëherë këtu drejtësi? Për çfarë drejtësie po flasim? Krahasohet tash numri i viteve që iu dha burgim këtyre katër vetëve dhe krahasohet numri i viteve që iu dha burgim politikanëve dhe gjeneralëve serbë. Është qesharake. Ata që kanë bërë krime përmes një mekanizmi të sofistikuar siç ka qenë ushtria jugosllave, pastaj ushtria serbe, e cila ka pasur strukturë, ka pasur hierarki, ka pasur logjistikë të madhe, ka pasur një mbështetje politike prapa saj, ka pasur mbështetje ndërkombëtare, flasim për Rusinë dhe shumë shtete të tjera miket e Serbisë që e kanë mbështetur jo vetëm në kuptimin ushtarak dhe ekonomik, po e kanë mbështetur duke dërguar edhe grupe të ndryshme kriminale për të luftuar kundër këtij populli duarthatë. Po e them popull, nuk po e them qëllimisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sepse ushtria lindi prej këtij populli, prej atyre qytetarëve të thjeshtë që e vuajtën krejt këtë luftë dhe këtë sakrificë. Në fakt, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është populli, asgjë më tepër s’ka. Kanë qenë njerëz pa përvojë, njerëz të papajisur mirë, njerëz pa njohuri paraprake ushtarake, të cilët thjesht janë detyruar me mbrojtur vetveten”, tha ai.
Duke folur për situatën e sigurisë gjatë protestave, Gecaj ka vlerësuar se institucionet e sigurisë në Kosovë kanë ndërtuar kapacitete profesionale, por sipas tij, rreziku kryesor lidhet me mundësinë e manipulimit të qytetarëve.
“Institucionet e sigurisë, për fat të mirë, për këto njëzet e sa vite që janë bërë përgatitjet e AKI-së, përgatitjet e Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë një nivel të kënaqshëm profesional dhe janë të përgatitura bukur mirë. Mirëpo, duhet ta kemi parasysh një gjë, që specifikat në raste të caktuara, siç është ky rast me këtë gjykatë, janë bukur të vështira për t’u menaxhuar, për shkak se pala tjetër, armiku i shfrytëzon, i shfrytëzon emocionet e qytetarëve. Dhe shumë të rinj e të reja, pa i ditur djallëzitë e armikut, bien pre e grackave të armikut, që i përgatit paraprakisht më herët”.
“Dhe ai ka një fokus te personat e caktuar, të cilët i lexon drejtpërdrejt edhe gjatë aktivitetit në protestë, se cilët janë ai grupim i cili mund të manipulohet më lehtë për qëllimet që ata i kanë. Dhe fatkeqësisht, ky numër nuk është i vogël, jo vetëm këtu te ne por kudo në botë ka mundësi që të manipulohet me grupe të caktuara. Dhe atëherë masa e cila është po ashtu e frustruar në kuptimin e pakënaqësisë që ka për ngjarjen që ka ndodhur verbërisht nganjëherë i ndjek mbrapa ata që nuk duhet t’i ndjekë”, tha ai.
Ai ka bërë thirrje që organizatorët e protestave, veteranët e luftës dhe grupi “Liria ka Emër” të kenë rol udhëheqës në organizimin e tyre, me qëllim që të shmangen veprimet që mund të dëmtojnë institucionet apo qytetarët.
“Por çfarë do të duhej të bëhej në rastin tonë? Do të duhej që dikush, qoftë prej institucioneve politike, po mas paku kisha pas dëshirë ata, por veteranët e luftës, udhëheqja e tyre, ta marrë përsipër këtë aktivitet, bashkë me grupin ‘Liria ka Emër’, të prijnë këtyre demonstratave, të japin udhëzimet e qarta dhe populli ta kuptojë që të vetmit të cilët duhet të përcillen janë këta. Dhe atëherë zvogëlohet mundësia e armikut për t’i keqpërdorur të rinjtë tanë dhe të rejat tona në dëm të Republikës së Kosovës, sepse këto janë momentet më të përshtatshme. Përveç një dëmi që iu bë në kuptimin e dënimit të katër personaliteteve, tani të shfrytëzohet ky moment edhe për dëme të tjera që mund t’i bëhen Kosovës”, tha ai.
Gecaj ka paralajmëruar se tensionet politike dhe vonesat në konsolidimin e institucioneve mund të krijojnë hapësirë për ndërhyrje të jashtme.
“Shkatërrimet e institucioneve tona, shkatërrimet e objekteve tona, kërcënimi i personaliteteve tona politike dhe publike duhet të evitohet me çdo kusht sepse neve nuk na duhen gjëra të tilla. Kemi pakënaqësi sa të duash, edhe unë personalisht, edhe me udhëheqjen tonë, edhe me qeverinë, edhe me institucionet në përgjithësi sepse po e shohim që për vite të tëra nuk po mundemi me i konsoliduar institucionet tona qeveritare. Dhe kjo gjithmonë krijon një hapësirë, një mundësi institucioneve të inteligjencës së huaj që t’i gjejë ato zbrazëtirat për të intervenuar në Republikën e Kosovës dhe për ta destabilizuar, siç edhe po e bën. Edhe vonesat e politikanëve në zgjidhjen e problemeve mund të jenë pjesë, edhe mund të jenë fokus të agjendave armiqësore kundër Kosovës”, tha ai.






