Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nisja e votimit për Presidentin me vetëm 64 deputetë në sallë përbën shkelje të rëndë kushtetuese.
Gashi ka theksuar se aktgjykimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës është i qartë dhe kërkon pjesëmarrjen e të paktën 80 deputetëve në raundin e parë të votimit.
“Derisa po zhvillohet votimi në Kuvend, po përsëritet një gabim i rëndë kushtetues. Aktgjykimi KO 29/11 është i qartë dhe i prerë. Në paragrafin 87 thuhet se me pjesëmarrjen e vetëm 67 deputetëve është shkelur Kushtetuta,” ka shkruar Gashi.
Sipas tij, standardi kushtetues është i padiskutueshëm dhe çdo proces pa numrin e kërkuar të deputetëve është nul, politikisht i papërgjegjshëm dhe juridikisht i paqëndrueshëm.
Gashi ka vlerësuar se, pas këtij votimi, procesi duhet të shpallet i dështuar dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja, si zgjidhja e vetme e drejtë dhe demokratike.
Ai ka shtuar se përgjegjësia bie mbi ata që, sipas tij, po injorojnë standardet kushtetuese për interesa politike.






