Ish-atasheu ushtarak i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Xhavit Gashi, ka komentuar vizitën e fundit të shefit të CIA-s në Kosovë, duke e cilësuar atë si një rikonfirmim të mbështetjes së vazhdueshme të ShBA-së për sigurinë, stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës.
Gashi theksoi rëndësinë e kësaj vizite, duke përmendur se mbështetja e ShBA-së nuk është diçka e re, por se kjo vizitë nga një nivel i tillë i lartë nënvizon përkushtimin e ShBA-së ndaj Kosovës dhe rajonit.
“Është një e një rëndësisë të veçantë për shumë arsye. Arsyeja kryesore është pra që nuk është lajm i ri po është një rikonfirmim nga një nivel i tillë, pra nga vetë drejtori i CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme që ofrojnë ShBA-të për sigurinë, stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës por edhe të rajonit”, ka thënë Gashi në “FIVE” të Dukagjinit.
Gashi gjithashtu theksoi se ShBA-ja pret që Kosova të ruajë rolin e saj në sigurinë rajonale.
“Atëherë në kontekstin e aspektit të sigurisë në kohën ku ndodhemi mes sfidave të sigurisë… rreziku më i madh është nga Rusia, lufta në Ukrainë. Kjo është një rëndësie të vençat për neve, që ShBA-të e trajtojnë Kosovën si partner strategjik, partner i vogël po i besueshme. Pra nuk presin që të diskutojnë vetëm për çështje të brendshme, por presin që Kosova ta luajë rolin në sigurinë rajonale të jetë faktor stabilizues dhe jodestabilizues”, ka shtuar Gashi.