Ganimete Musliu: Policia e Kosovës nuk është pronë e Xhelal Sveçlës e as e Vetëvendosjes

- Advertisement -

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kritikuar ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për ndërhyrjet që, sipas saj, i ka bërë në strukturën dhe punën e Policisë së Kosovës, pas dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha.

“Policia e Kosovës nuk është pronë as e Xhelalit as e Vetëvendosjes, është një institucion shumë i rëndësishëm e vital i shtetit tonë”, ka thënë Musliu në një intervistë për Blic.

Ajo ka deklaruar se Sveçla ka bërë “ndërhyrje të tmerrshme” në punën e Policisë, duke përmendur edhe rastin e kampit “Belvedere”, gjatë zhvillimeve pas sulmit në Banjskë.

Musliu ka treguar se, në cilësinë e anëtares së Komisionit për Siguri, kishte kërkuar që bashkë me anëtarët e tjerë të komisionit të vizitonin kampin, por se kjo kërkesë u ishte refuzuar. Kërkesa ishte bërë pas raportimit të Vox Kosova për gjendjen e rëndë brenda këtij kampi, ku ishin pasqyruar pamje të kushteve të vështira.

Deputetja ka përmendur edhe kampin e Vrellës, duke thënë se aty persona hyjnë dhe dalin kur të duan. Ajo i është referuar raportimit të Vox Kosova për hyrjen e një personi të huaj në këtë kamp, ku ishte pasqyruar se çdo pjesë e hapësirës incizohet, ndonëse ajo konsiderohet pjesë e infrastrukturës kritike të Kosovës.

“Shumë ma e lehtë u kanë me dhanë dorëheqje ose me u shkarku Xhelal Sveçla, e me lanë policinë me i kry detyrat e veta”, ka deklaruar Musliu.

Ajo ka thënë se çështjen e ndërhyrjeve të Sveçlës në Policinë e Kosovës e ka ngritur disa herë edhe në Kuvend.

Të ngjashme

Të fundit