Ganimete Musliu: Fushatat e linçimit ndaj ish-luftëtarëve po nxisin përçarje dhe tensione në Kosovë

- Advertisement -

Ish-deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka deklaruar se është kundër çdo forme të dhunës, por ka akuzuar individë dhe grupe të caktuara për nxitje të vazhdueshme të gjuhës së urrejtjes dhe përpjekje për degradimin e figurave publike e historike, shkruan Scanner.

Ajo tha se kohët e fundit janë shtuar fushatat e organizuara të linçimit ndaj ish-pjesëtarëve të luftës dhe ndaj atyre që, sipas saj, po mbrojnë luftën e Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Hagë.
Musliu vlerësoi se dhuna fizike shpesh është pasojë e “dhunës sistematike verbale” dhe dehumanizimit në diskursin publik, ndërsa akuzoi kryeministrin Albin Kurti për krijimin e një qasjeje që, sipas saj, po rikthen tensione në Skenderaj dhe Drenica.

Ajo theksoi se Sami Lushtaku “ishte, është dhe do të mbetet çlirimtar”, duke paralajmëruar se provokimet dhe përçarjet mund të sjellin pasoja për stabilitetin në vend.

Reagimi i plotë:

Filimisht, dua të deklaroj qartë se jam kundër të gjitha formave të dhunës.

Por duhet thënë po ashtu se, prej vitesh, kemi parë individë dhe grupe që nxisin vazhdimisht gjuhë urrejtjeje, me qëllimin e vetëm për të degraduar vlerat, për të shkatërruar reputacionin e figurave publike dhe historike dhe për të nxitur përçarje e dhunë.

Kohët e fundit po përballemi me fushata të organizuara linçimi, të drejtuara jo vetëm kundër atyre që mbajtën barrën e luftës, njerëzve më meritorë për lirinë dhe demokracinë e Kosovës, të cilët vazhdojnë të jenë të angazhuar në jetën publike të vendit, por edhe ndaj atyre që po qëndrojnë stoikë tash e gati gjashtë vite në mbrojtje të luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare në Hagë, duke u bërë vazhdimisht shënjestër e sulmeve dhe fyerjeve nga më të ultat.

Dhuna fizike nuk shfaqet nga asgjëja. Shpesh ajo është pasojë e dhunës sistematike verbale, e dehumanizimit të vazhdueshëm dhe e normalizimit të urrejtjes në diskursin publik.

Skenderaj po përballet me një qasje të udhëhequr nga Albin Kurti, të cilën Drenica e kishte lënë pas që nga viti 1999. Kjo është fakt.

Kryetari i Skenderajt, z. Sami Lushtaku, ishte, është dhe do të mbetet përherë çlirimtar.

Ata që fyejnë, ata që akuzojnë dhe ata që përçajnë duhet ta kenë të qartë se çdo durim ka fund.

Nëse dikush mendon se, duke e provokuar Drenicën dhe duke prekur plagët e saj shekullore, mund të shkaktojë një krizë të re në Kosovë, është duke gabuar.

Prandaj, nëse e dënojmë vërtet dhunën, duhet ta dënojmë çdo formë të saj, pa përjashtim dhe pa selektivitet politik apo rajonal.e

Të ngjashme

Të fundit