Legjenda italiane Francesco Totti e ka pranuar se po “tundohet” për një rikthim në futboll, ndërsa është kontaktuar nga disa klube të Serie A.
Pavarësisht se ka mbushur tani 48 vjeç, Totti beson se për vetëm dy muaj do të ishte në gjendje të rikthehet në formë.
Në një intervistë për “Betsson Sport”, italiani tha se po e konsideron rikthimin nga pensionimi, ndërsa është kontaktuar edhe nga disa klube të elitës së futbollit në Itali.
“Në jetë kurrë nuk mund të thuash kurrë. Ka pasur lojtarë në të kaluarën që janë rikthyer në futboll edhe pas disa viteve”.
“Për të luajtur në Serie A duhesh të stërvitesh shumë mirë. Disa klube të Serie A më kanë kontaktuar së fundmi”.
“Ndodhi para një muaji dhe më ka sjellë disa mendime në kokë. I thashë vetës: “Pse pas kaq shumë viteve ende po më pyesin?” Do të isha në gjendje për vetëm dy muaj”, deklaroi ai.
Kujtojmë, se 48-vjeçari e përfundoi karrierën profesionale para plot shtatë viteve, më saktësisht në fundin e sezonit 2016/17.
Totti tërë karrierën profesionale e kaloi te skuadra e Romës, me të cilët zhvilloi 785 paraqitje në të gjitha garat, duke kontribuar me 307 gola dhe 207 asistime.