France Football ka nisur një hetim lidhur me baste të dyshimta për ceremoninë e Ballon d’Or 2026, pas shqetësimeve se rezultatet mund të jenë zbuluar para shpalljes zyrtare.
Sipas raportimit të “The Guardian”, 12 llogari në platformën Polymarket kanë vënë baste me vlerë mbi 264 mijë dollarë, duke fituar afër 200 mijë dollarë pasi parashikuan saktësisht pesë vendet e para në renditjen e çmimit.
Renditja e parashikuar nga këto llogari përputhej plotësisht me rezultatet zyrtare: Harry Kane në vendin e parë, Kylian Mbappé në të dytin, Lamine Yamal në të tretin, Rodri në të katërtin dhe Lionel Messi në të pestin.
Dyshimet janë shtuar për shkak të ngjashmërisë së madhe në mënyrën se si këto llogari kanë vendosur bastet. Shtatë prej tyre nuk kishin marrë pjesë në tregje të tjera të basteve, ndërsa gjashtë kishin vendosur bastet e para vetëm 15 minuta pas krijimit të llogarisë.
Për këtë arsye, po shqyrtohet mundësia që informacione konfidenciale rreth votimit të jenë zbuluar para ceremonisë. Megjithatë, deri më tani nuk ka prova përfundimtare që vërtetojnë se ka pasur rrjedhje të rezultateve.
France Football ka kontaktuar edhe policinë franceze, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbuluar se kush qëndron pas këtyre llogarive dhe nëse ndonjë informacion i brendshëm është përdorur për të përfituar financiarisht.






