FIFA ka thënë se “askush nuk po e shet futbollin”, ndërsa u zotua të vazhdojë planin kundërthënës për të shitur aksione në garat e saj tek investitorët privatë.
UEFA, që drejton futbollin në Evropë, votoi të enjten për të bojkotur Kupën e Botës dhe ngjarjet tjera të FIFA-s, nëse plani do të vazhdonte.
CONCACAF, që është përgjegjës për futbollin në Amerikën e Veriut dhe Qendrore tha se 41 federatat nacionale anëtare gjithashtu “refuzuan” propozimin e bërë nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
FIFA organizon futbollin në nivel global, ndërsa Infantino do të kishte nevojë që 106 nga 211 anëtarët e FIFA-s të votonin në favor të propozimit, që ai të miratohej. UEFA dhe CONCACAF së bashku përbërjnë 96 nga këto vende, përkatësisht anëtare të FIFA-s.
Në një deklaratë të lëshuar të premten, FIFA pretendoi se procesi i konsultimit ishte “ndërprerë nga raportimet e pasakta të mediave”.
“Ne i respektojmë reagimet dhe shqetësimet e shprehura në publik dhe riafrimojmë angazhimin tonë për një konsultim të hapur dhe demokratik”, thuhet në deklaratën e FIFA-s.
“Ne do të vazhdojmë me këtë proces konsultimi për të siguruar që çdo federatë nacionale të ketë aftësinë të votojë bazuar në fakte. Askush nuk po e shet futbollin. Nuk është diçka që FIFA do ta merrte ndonjëherë në konsideratë”, shkruan tutje FIFA.
FIFA dëshiron të krijojë një degë tregtare për të drejtuar ngjarjet e saj kryesore, përfshirë Kupën e Botës. Dhe investitorët e jashtë do të jenë në gjendje të blejnë aksione në të.
UEFA e ka akuzuar FIFA-n se po e përdor futbollin për të pasuruar veten dhe miqtë e saj.
Infantino më parë u shkroi federatave nacionale duke u thënë se do të marrin 40 milionë dollarë nëse mbështesin propozimin e tij kundërthënës. Ai vendosi afat deri më 19 shtator për të pranuar planet, nëse federatat nacionale duan të kenë qasje në një shumë fillestare prej 20 milionë dollarësh.
Personalitet më të shquara të futbollit kanë kundërshtuar planin e FIFA-s, duke thënë se futbolli duhet të jetë për njerëzit.






