FFK nis projektin “Ndriçojmë Futbollin”, stadiumet e Kosovës drejt modernizimit

- Advertisement -

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë të ditur nisjen e projektit “Ndriçojmë Futbollin”, i cili synon modernizimin e infrastrukturës së futbollit në vend përmes vendosjes së sistemeve moderne të ndriçimit në stadiume dhe fusha.

Projekti ka nisur të jetësohet në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, ku ndeshja e sontme po zhvillohet për herë të parë nën dritën e reflektorëve.

Sipas Ademit, në fazën e parë sisteme moderne të ndriçimit do të vendosen edhe në stadiumin e Gjilanit dhe në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
“Ky është vetëm fillimi”, ka theksuar Ademi, duke bërë të ditur se synimi është që klubet kosovare të kenë kushte sa më moderne dhe që zhvillimi i ndeshjeve nën reflektorë të bëhet praktikë e zakonshme në stadiumet e Kosovës.
Projekti synon të kontribuojë në përmirësimin e kushteve për futbollistët, klubet dhe tifozët, duke e çuar infrastrukturën e futbollit kosovar drejt standardeve më moderne.
“Po i ndriçojmë stadiumet tona, për ta bërë edhe më të ndritshme të ardhmen e futbollit të Kosovës!”, ka shkruar Ademi.

Postimi i plotë:

Sot po shënojmë një tjetër moment të rëndësishëm në rrugën e zhvillimit dhe modernizimit të infrastrukturës së futbollit në Kosovë.

Po nis jetësimi i projektit “Ndriçojmë Futbollin”, një projekt që ka për qëllim vendosjen e sistemeve moderne të ndriçimit në stadiumet dhe fushat tona të futbollit, duke krijuar kushte më të mira për klubet, futbollistët dhe tifozët.

Sonte, për herë të parë në kuadër të këtij projekti, ndeshja në stadiumin “18 Qershori” në Klinë po zhvillohet nën dritën e reflektorëve. Një pamje kjo që na gëzon, por që edhe simbolizon drejtimin në të cilin duam të ecë futbolli ynë.

Në etapën e parë të projektit, sisteme moderne të ndriçimit do të vendosen gjithashtu në stadiumin në Gjilan dhe në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

Ky është vetëm fillimi. Synimi ynë është që futbolli të luhet në kushte gjithnjë e më moderne, që klubet tona të kenë infrastrukturën që meritojnë dhe që ndeshjet nën reflektorë të bëhen një realitet i zakonshëm në stadiumet anembanë Kosovës.

Po i ndriçojmë stadiumet tona, për ta bërë edhe më të ndritshme të ardhmen e futbollit të Kosovës!

#mefutbollinpërkosovën http://Video

Të ngjashme

Të fundit