Federata e Futbollit e Kosovës, ka bërë të ditur se dhjetë klube kanë siguruar licencën për pjesëmarrje në garat evropiane të UEFA-s për sezonin e ardhshëm, pas procesit të vlerësimit të kritereve të përcaktuara.
Nga këto, tetë klube janë nga Superliga e Kosovës në konkurrencën e meshkujve: Drita, Ballkani, Malisheva, Prishtina, Gjilani, Dukagjini, Llapi dhe Ferizaj. Ndërkohë, në konkurrencën e femrave, licencën e kanë marrë Mitrovica dhe KFV Prishtina.
Në total, për licencim kishin aplikuar 12 klube, por vetëm dhjetë prej tyre kanë përmbushur kriteret e kërkuara nga FFK-ja dhe UEFA. Dy klubet që nuk kanë arritur të sigurojnë licencën janë Drenica dhe Prishtina e Re.
Ky proces licencimi është thelbësor për klubet që synojnë të përfaqësojnë futbollin kosovar në skenën ndërkombëtare, pasi përfshin vlerësimin e kushteve financiare, infrastrukturore, administrative dhe sportive.
Me këtë vendim, klubet e licencuara tashmë kanë hapur rrugën për pjesëmarrje në garat evropiane, duke synuar paraqitje sa më dinjitoze dhe rezultate pozitive në arenën ndërkombëtare.






