FFK fton futbollistët nga diaspora të stërviten në Kampin Nacional në Hajvali

- Advertisement -

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka ftuar të gjithë futbollistët dhe futbollistet nga diaspora, të cilët gjatë pushimeve verore qëndrojnë në Kosovë, ta shfrytëzojnë Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali për zhvillimin e seancave stërvitore.

Sipas njoftimit të FFK-së, dyert e Kampit Nacional janë të hapura për sportistët e të gjitha kategorive, pavarësisht ligës ku aktivizohen apo kombëtares që përfaqësojnë.

“Pavarësisht se në cilën ligë aktivizohen apo cilën kombëtare e përfaqësojnë, Kampi Nacional është i hapur për të gjithë ata që këto ditë vere i kalojnë pranë familjeve të tyre në Kosovë. Synimi ynë është t’ju ofrojmë kushte profesionale stërvitore dhe t’i mirëpresim gjithmonë në shtëpinë e futbollit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

FFK ka bërë të ditur se të interesuarit duhet të dërgojnë një kërkesë në adresën elektronike [email protected], duke specifikuar datën ose datat e dëshiruara për stërvitje, orarin e preferuar, numrin e pjesëmarrësve dhe vitin e lindjes.

Federata ka njoftuar gjithashtu se për grupet me më shumë se pesë pjesëmarrës do të ofrojë asistencë profesionale përmes trajnerëve të saj, në përputhje me orarin dhe kapacitetet e Kampit Nacional.

Në fund, FFK ka shprehur gatishmërinë për t’i mirëpritur të gjithë futbollistët nga diaspora dhe u ka uruar atyre pushime sa më të këndshme në Kosovë.

Të ngjashme

Të fundit