Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka bërë me shumë se një vit qëndrim në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, teksa procesi gjyqësor për akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit pritet të nis më 2022.
Vajza e tij, Gresa Krasniqi në një intervistë ekskluzive për Klankosova.tv thotë se babai i saj mund edhe të ketë bërë gabime padashje, por, kurrë dhe në asnjë rrethanë nuk do të lëndonte të tjerët, as me fjalë e as me vepra.
“Besoj fuqishëm në pafajësinë e babit. Besoj fuqishëm në pastërtinë e luftës çlirimtare të UÇK-së dhe në pafajësinë e çdo çlirimtari”.
Por, për Gresën dhe familjen doza e mërzisë për mungesën e babait, shtohet veccanarisht në ditë festash e për këtë gjë marrin edhe kritika nga vetë kryefamiljari.
“Në bisedën e parë që e kemi bërë me babin përmes zoom, ka kërkuar me ngulm që të jemi të fortë, ta duam e të kujdesemi për mamin. Dhe të vazhdojmë jetën sikurse jetonim sa ishte babi këtu. Sado përpiqemi, gjithçka ka ndryshuar. Të vështira janë ditët e zakonshme e lëre më festat”, thotë vajza më e madhe e Krasniqit.
Në këtë intervistë, e bija e ish-kryeparlamentarit ka rrëfyer për të gjitha zhvillimet, që nga arrestimi i të atit deri tek vizita e fundit tek ai në Hagë. Ajo thotë se për të dhe familjen Krasniqi problematike mbetet mosha e ish-kryeparlamentarit në fillimin e procesit gjyqësor pasi më 1 janar ai mbush 71 vjet.
INTERVISTA E PLOTË:
Si ka qenë dita e arrestimit, çfarë ishit duke bërë dhe si rrodhi e gjithë dita?
Gresa Krasniqi: Mënyra se si është rrethuar shtëpia mëngjesin e 4 nëntorit 2020 më kujton përherë 11 nëntorin e vitit 1998. Shtëpia njëjtë ka qenë e rrethuar edhe atëherë me forca të shumta e të armatosura, andaj dita e arrestimit të babit mbetet dita më e shëmtuar e jetës sonë.
Meqenëse shtëpia ishte rrethuar herët, të gjithë anëtarët e tjerë të familjes ishin duke fjetur. I zgjova të gjithë dhe i njoftova për atë çfarë po ndodhte. Për një kohë të gjatë e kam vuajtur faktin që zgjova nga gjumi babin se me dukej sikur e kisha dorëzuar vet.
Pjesa tjetër e ditës veç është transmetuar vazhdimisht në media. Dita e arrestimit ka qenë ‘shou’ i panevojshëm, madje edhe mënyra si është arrestuar ka qenë e panevojshme. Babi asnjëherë nuk e ka ndjerë të nevojshme të ik nga drejtësia dhe as të frikësohet nga ajo. Babi nuk i ka ikur as “drejtësisë” së Jugosllavisë e lëre më “drejtësisë” së kësaj gjykate.
Pas sa kohësh ka qenë vizita e parë te babai dhe çfarë emocioni patët kur u takuat?
Gresa Krasniqi: Vizita e parë ka qenë pas 8 muaj e 12 ditësh. Udhëtimi drejt Hagës ka qenë udhëtimi që na ka përcjell me shumë emocione të njëpasnjëshme.
Ditën e arrestimit ishim të shokuar dhe nuk mund të kuptonim atë çfarë po ndodhte, mbase shumë fjalë e përqafime nuk arritëm t’i jepnim siç duhej, e 8 muaj pas, aq sa ishim të gëzuar që më në fund do të takoheshim, aq ndiheshim të mërzitur që do ta takonim babin në ato rrethana.
Në vizitën e parë, tek ecnim deri tek dhomat e paraburgimit nuk flisnim fare mes veti, nuk dinim çfarë të prisnim as si do të reagonim, por ama ishim të lumtur. Kur takuam babin, realisht e prisnim më të pikëlluar, por, na gëzoi fakti që babi ishte ende po aq i fortë e optimist sa ishte këtu.
Si i keni shënuar festat më parë kur ishit gjithë familja e kompletuar?
Gresa Krasniqi: Jemi familje gjashtë anëtarëshe, na karakterizon qetësia, prandaj edhe festat kanë qenë më të qeta. Babi e mami janë kujdesur që të rriteshim të rrethuar me dashuri e lumturi. Festat gjithmonë i kemi festuar të gjithë bashkë në shtëpi.
Sa i përket Vitit të Ri, është festë e dyfishtë pasi që babi feston ditëlindjen me 1 janar. Prandaj, çdo herë kemi qenë të rrethuar edhe me familjarë të tjerë qe vinin për urime. Në festa kemi preferuar gjithmonë ngrohtësinë që na dhuronte shtëpia dhe praninë e njëri-tjetrit.
Si shënoni festat tani në mungesë të babait?
Gresa Krasniqi: Në bisedën e parë që e kemi bërë me babin përmes zoom, ka kërkuar me ngulm që të jemi të fortë, të duam e të kujdesemi për mamin. Dhe të vazhdojmë jetën sikurse jetonim sa ishte babi këtu.
Sado përpiqemi, gjithçka ka ndryshuar. Të vështira janë ditët e zakonshme e lëre më festat.
Megjithatë, ne mundohemi çdo ditë të jemi të fortë dhe t’i tregojmë babit. Por, edhe të tjerëve se pavarësisht gjithçka që ndodh është krenaria e jashtëzakonshme që na mbanë të fortë, të lumtur e me kokën lart.
Prandaj edhe festat mundohemi t’i festojmë njëjtë edhe pse mungesa e babit i zbeh ato.
A mund të ndani me lexuesit tanë pak detaje nga vizita e fundit që i bëtë në Hagë?
Gresa Krasniqi: Vizita e fundit ka qenë me 11 dhjetor, ditë e shtunë.
Vizitat zakonisht i fillojmë në 9 të mëngjesit deri në ora 16:00. Meqenëse, jemi gjithë ditën në vizitë, babi na sjell drekën poshtë. Prandaj, edhe po e shfrytëzoj rastin që të falënderoj axhin Nasim (Haradinaj) e axhin Pjetër (Shala) që kujdesen për drekën.
Vizita padyshim se fillon me përqafime dhe pastaj e njoftojmë për të rejat, për jetën në Kosovë. Ia përcjellim përshëndetjet e familjarëve dhe miqve. Janë vizita të zakonshme!
Natyrisht asnjëherë nuk mungojnë këshillat e sidomos nuk mungon kërkesa e babit që të kujdesemi për mamin. Pothuajse, në çdo vizitë takohemi edhe me shokët e babit dhe familjarët e tyre që ndodhen për vizitë. Kur i shohim të gjithë aq të fortë na bën të jemi të fortë edhe ne. Jeta që i sfidoi aq shumë nuk i gjunjëzoi. Atë forcë dhe energji pozitive që rrezatojnë e përcjellin edhe tek ne!
Sado e rëndë dhe e dhimbshme është të shohim babin aty, jemi të lumtur dhe falënderues që ende kemi fatin ta vizitojmë, ta përqafojmë dhe ndjejmë ledhatimet e tij.
Si e kalon Krasniqi këtë kohë në Hagë, me çfarë po merret?
Gresa Krasniqi: Me lexime dhe shkrime. Babi edhe këtu sa ishte ka qenë përherë i rrethuar me libra.
Ne bisedat me zoom, çdoherë na lexon poezitë që shkruan. Pastaj, kalon kohë bashkë me miqtë tjerë dhe me aktivitete të ndryshme që ua mundëson qendra e paraburgimit.
Kur do të jetë vizita tjetër?
Gresa Krasniqi: Meqenëse babi e ka ditëlindjen më 1 janar, vizita e radhës do të jetë atëherë ka fillimi i janarit.
A besoni në pafajësinë e babait dhe shokëve të tij?
Besoj fuqishëm në pafajësinë e babit.
Babi është njeriu më i drejtë dhe më i sinqertë që kam njohur. Gabimet janë njerëzore mbase babi gjatë jetës së tij pa dashje do të bënte ndonjë gabim. Por, kurrë dhe në asnjë rrethanë nuk do të lëndonte të tjerët, as me fjalë e as me vepra. Babin e karakterizojnë vlera të larta njerëzore, babi ruan shumë ndjenjat e tjetrit, prandaj, çdo herë është i matur në atë që thotë dhe bën.
Besoj fuqishëm në pastërtinë e luftës çlirimtare të UÇK-së dhe në pafajësinë e çdo çlirimtari.
Për sa kohë prisni që të përfundojë procesi?
Gresa Krasniqi: Duke u nisur nga gjyqet e mëparshme që i janë bërë pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së dhe që kanë zgjatur shumë, jemi përgatitur qe edhe ky gjyq të zgjasë.
Për shkak të moshës se babit, aktualisht armiku me i madh për ne dhe për të është koha. Ne shpresojmë që ky gjyq të fillojë sa më parë e të përfundojë shpejt.
A keni ndonjë informacion se si do ta festojnë Vitin e ri të paraburgosurit në Hagë?
Gresa Krasniqi: Vitin e Ri do ta festojnë bashkë, sigurisht do të bëjnë ndonjë organizim të vogël si vitin e kaluar.
Si e mendoni shënimin e çdo dite e edhe festave pas përfundimit të procesit gjyqësor?
Gresa Krasniqi: S’ka ditë që nuk e mendoj lirimin e babit dhe kthimin e tij në shtëpi.
Zgjohem me mendimin për babin dhe shtrihem të fle duke kujtuar babin. Edhe pse shumë larg nesh, është pjesë e pandashme e jetës sonë. Mungesa e babit na ka bërë të kuptojmë më shumë jetën dhe t’i vlerësojmë më shumë njerëzit rreth nesh.
Pa dyshim se prania e babit do të zbukuroj edhe ditët më të zakonshme e lëre më festat.
Për fund, po e shfrytëzoj rastin të ju uroj festat e fundit.
Uroj që Viti i Ri të jetë një vit më i mbarë për të gjithë ne. Me më pak dhunë, më pak urrejtje e me shumë dashuri për njëri-tjetrin!