Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka përkujtuar sot 27-vjetorin e Masakrës së Studimes, duke e cilësuar atë si një nga krimet më të rënda dhe më çnjerëzore të kryera nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë.
Idrizi ka rikujtuar se më 2 maj 1999, në fshatin Studime, 116 civilë të pafajshëm – fëmijë, gra, burra dhe pleq – u vranë dhe u masakruan mizorisht nga forcat serbe, vetëm pse ishin shqiptarë. Sipas tij, kjo datë mbetet një ndër plagët më të thella në kujtesën e Vushtrrisë dhe të mbarë vendit.
“Dhimbja e 2 majit nuk i takon vetëm familjeve të martirëve, por gjithë Vushtrrisë dhe mbarë Kosovës. Është një plagë që mbetet e hapur në kujtesën tonë kolektive dhe një kujtim i përhershëm i çmimit të lirisë që gëzojmë sot”, ka theksuar ai.
I pari i Vushtrrisë ka thënë se sot institucionet dhe qytetarët përulen me respekt para kujtimit të viktimave të Masakrës së Studimes, por edhe para qëndresës së familjeve të tyre, të cilat, siç është shprehur ai, ruajtën dinjitetin, forcën dhe krenarinë mes dhimbjes së madhe.
Në mesazhin e tij përkujtimor, Idrizi ka nënvizuar se Masakra e 2 Majit mbetet dëshmi e krimeve dhe gjenocidit të ushtruar ndaj popullit shqiptar në Kosovë, duke shtuar se obligim institucional dhe kombëtar është që e vërteta të mos harrohet kurrë, ndërsa kujtimi për martirët të mbetet i përjetshëm.






