Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka deklaruar se LVV ende nuk ka nisur takimet me partitë politike pasi po pritet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.
Në emisionin “Mesdite” në Tëvë1, Fejza tha se procesi zgjedhor ka një rend të përcaktuar me ligj dhe se hapat po ndiqen sipas afateve zyrtare.
“Tani është një rend i gjërave i përcaktuar me ligj sa i përket mënyrës se si duhet të zhvillohen proceset pas përfundimit të zgjedhjeve. Sigurisht, është certifikimi i rezultateve nga KQZ-ja. Ju e keni parë që procesi i numërimit ka shkuar në rregull dhe ne e kemi konsideruar shumë të rëndësishme të presim certifikimin e rezultateve, sepse pas certifikimit deputetët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve, e pastaj të fillojnë diskutimet me partitë”, ka thënë Fejza.
Ajo shtoi se më herët LVV kishte pasur një arsyetim për ofertat drejtuar LDK-së, duke u bazuar edhe në perceptimet e opinionit publik për afërsinë mes elektorateve.
“Ka pasur një arsyetim tonin për ofertat që i kemi bërë LDK-së, sepse votuesi i LVV-së dhe i LDK-së, sipas matjeve të opinionit publik, konsiderohet se është më i afërt dhe e pranon më lehtë bashkëpunimin. Ne kemi menduar se mbi bazën e vullnetit të qytetarëve mund të vazhdohet bashkëpunimi. Tani jemi në rrethana krejt të reja, jo vetëm për Republikën e Kosovës por edhe për LDK-në, prandaj të gjitha këto do të definohen në momentin kur do të fillojnë takimet me partitë politike”, ka shtuar ajo.






