FC Prishtina e pranon sezonin dështues, paralajmëron se do të kthehet në majat e futbollit

- Advertisement -

FC Prishtina ka lëshuar një komunikatë për media lidhur me sezonin që sapo përfundoi.

Kryeqytetasit e nisëm mirë, por në fund përfunduan duke i shpëtuar barazhit tek në xhiron e fundit të sezonit.

E në komunikatë, Prishtina e pranoi sezonin e dobët, ndërsa premtoi se do të rikthehet në majat e futbollit.

Deklarata e plotë:

DEKLARATË: Përfundimi i edicionit 2025/26

Pas përfundimit të kampionatit, ndiejmë përgjegjësi morale t’u drejtohemi Plisave, qytetarëve të Prishtinës dhe mbarë opinionit sportiv.

Si kryesi e FC Prishtina, kemi qenë maksimalisht të përkushtuar dhe kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm për hartimin dhe zbatimin e një plani zhvillimor afatgjatë, me synimin që klubi të shndërrohet në shembull të organizimit profesional dhe sportiv, jo vetëm në vend, por edhe më gjerë.

Aktualisht, po punojmë intensivisht në riorganizimin e plotë të klubit dhe në realizimin e kompleksit sportiv në Bërnicë, një projekt strategjik që do të krijojë kushte moderne dhe të qëndrueshme për zhvillimin afatgjatë të FC Prishtinës.

Prej vitesh, klubi ka arritur konsolidim të plotë financiar dhe sot nuk ka asnjë obligim apo borxh ndaj askujt. Megjithatë, e ndiejmë se borxhi ynë i vetëm mbetet ndaj tifozërisë sonë për rezultatet sportive të këtij edicioni, të cilat edhe ne i kemi përjetuar me zhgënjim.

Prandaj, u kërkojmë falje Plisave dhe të gjithë atyre që e duan FC Prishtinën me zemër e shpirt. Kjo kërkimfalje vjen si rezultat i analizës dhe reflektimit tonë të brendshëm dhe është shenjë e transparencës, përgjegjësisë dhe respektit që kemi ndaj mbështetësve tanë.

Gabimet janë njerëzore, ndërsa pranimi i tyre dhe kërkimfalja janë mënyra më e ndershme për të dëshmuar vullnetin dhe përkushtimin tonë për ta rikthyer FC Prishtinën aty ku e ka vendin në majat e futbollit vendës.

Andaj, një falënderim i veçantë u takon Plisave, të cilët vazhdojnë të jenë forca, zemra dhe shpirti i klubit. Falënderojmë gjithashtu partnerët, sponsorët dhe mediat për mbështetjen, besimin dhe bashkëpunimin korrekt gjatë gjithë sezonit.

Procesi i riorganizimit tashmë ka nisur dhe shumë shpejt pjesë e klubit do të bëhen personalitete profesionale dhe akademike, njerëz me integritet dhe karrierë të dëshmuar, me të cilët synojmë që së bashku ta bëjmë FC Prishtinën adresë të profesionalizmit, zhvillimit të talenteve të rinj dhe sukseseve të ekipit të parë.

Për çdo zhvillim të rëndësishëm, opinioni publik do të informohet me kohë dhe me transparencë të plotë.

Me respekt, Driton Krasniqi

Të ngjashme

Të fundit