Faton Peci thotë se Prokuroria Speciale i ka pushuar hetimet ndaj tij lidhur me grantet

- Advertisement -

Pak kohë pasi që Blerim Isufaj u shkarkua nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, hetimet për grante ndaj Kryetarit të Mitrovicës, Faton Peci, kanë pushuar.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Peci përmes një postimi në Facebook.

“Foli Prokuroria Speciale – sepse grantet janë dhënë vetëm me meritokraci. Dy vjet të randa linçimi, baltosje e shpifje të ulta e të mbushura helm kundër meje e kundër asaj çfarë përfaqësoj, morën përgjigjen e duhur, të ditur dhe të pritur”, shkroi Peci në Facebook.

“Prokuroria paska folur qartë, sepse nuk kishte arsye e dëshmi për të folur ndryshe e për të mos mbyllur insinuatat e sulmet e orkestruara kundër punës sime të ndershme”.

Zyrtarët e LDK-së, theksoi ai, që e ngritën këtë kallëzim penal, “por edhe të gjithë ata që hodhën gurin e fshehën dorën, do të përballem me kallëzim penal për deklarim të rrejshëm”.

“Ndërsa ju, qytetarëve të shumtë nga gjithë Kosova e mërgata, fort ju falënderoj që keni besuar në mua, përkundër luftës speciale kundër meje. Ju siguroj se asgjë nuk mund ta njollosë punën time të ndershme si Ministër, në shërbim tuajin, në shërbim të Kosovës”.

Në vendimin qe ka publikuar Peci, thuhet se hetimet kanë pushuar edhe ndaj Fitore Pacollit.

Rasti ka të bëjë me kohën kur Peci ishte Ministër i Bujqësisë.

Ky vendim i Prokurorisë Speciale vjen pas shkarkimit të Blerim Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale dhe pas zgjedhjes së Zejnullah Gashit si Kryeprokuror i Shtetit.

Të ngjashme

Të fundit