Familja Glazer mund ta shesë klubin e Unitedit, nëse ndodhin dy gjëra – zbulohen detaje

- Advertisement -

Familja Glazer po “pret momentin e duhur” për të përfituar financiarisht nga shitja e Manchester Unitedit, sipas një burimi brenda klubit, ndërsa dy kushte mund ta lehtësojnë shitjen e aksioneve të tyre.

Glazerët nuk kanë qenë kurrë të pëlqyer nga tifozët e Unitedit që prej marrjes së kontrollit të klubit në vitin 2005, kur përmes një blerjeje të financuar me borxhe e ngarkuan klubin me rreth 600 milionë funte detyrime.

Shumica e problemeve me të cilat është përballur Manchester Unitedi që nga largimi i Sir Alex Fergusonit në vitin 2013 u atribuohen pronarëve amerikanë.

Pas një tjetër pike të ulët, me humbjen 3-0 në Premierligë ndaj Bournemouthit, drejtuesit e njërit prej klubeve më historike në botë vazhdojnë të mos shihen askund.

Humbja e rëndë ndaj Bournemouthit në “Old Trafford” e ka lënë Unitedin vetëm një pikë mbi zonën e rënies nga liga, ndërsa Michael Carrick po rrezikon seriozisht shkarkimin.

Megjithatë, shumica e tifozëve janë rreshtuar në mbështetje të legjendës së klubit, në vend që të kërkojnë largimin e tij. Ata e kuptojnë se problemet me të cilat po përballet Carrick janë kryesisht pasojë e paaftësisë së familjes Glazer dhe Sir Jim Ratcliffe.

Kur Ratcliffe përfundoi marrëveshjen për blerjen e 28 për qind të aksioneve të klubit, gati dy vjet më parë, ai premtoi se do ta rikthente Manchester Unitedin në majat e futbollit.

Megjithatë, rezultatet kanë qenë të kundërta, me klubin që ndodhet vetëm dy pikë mbi Sunderlandin, i cili renditet në vendin e fundit, të 20-tin.

Natyrshëm, tifozët po pyesin se çfarë do të duhej që Glazerët, të udhëhequr nga 59-vjeçari Joel, të shisnin shumicën e aksioneve të tyre në klub.

Sipas “ESPN”, aktualisht nuk ka shumë interes nga investitorët për blerjen e një klubi të Premierligës.

Megjithatë, i njëjti medium pretendon se Glazerët po “presin momentin e duhur për të përfituar financiarisht nga shitja”, ndërsa vendimi mund të varet nga dy kushte.

Pas dështimit të projektit të Superligës Evropiane, i cili dikur u ofroi Glazerëve një mundësi të mundshme për shitjen e klubit, kushti i parë lidhet me ndërtimin e një stadiumi të ri në vend të “Old Trafford”.

Në qershor, klubi siguroi pjesën më të madhe të tokës së nevojshme për ndërtimin e një stadiumi të ri me kapacitet prej 100 mijë ulësesh.

Një stadium i ri do ta rriste pa dyshim vlerën e Manchester Unitedit. Kushti i dytë lidhet me mundësinë e përjashtimit të Manchester Cityt nga Premierliga.

Ky është një nga ndëshkimet me të cilat mund të përballet rivali i tyre më i madh, nëse konfirmohet vendimi për shkeljen e rregullave financiare gjatë periudhës 2009-2018, pas përfundimit të procesit të ankesës.

Rënia e Manchester Cityt nga liga do të nënkuptonte që Unitedi do të kishte një rival të fuqishëm më pak në garën për trofe të rëndësishëm vendorë, duke e bërë klubin ndoshta më tërheqës për investitorët e mundshëm.

“The Mirror” raportoi në fillim të këtij muaji se Glazerët do ta shqyrtonin shitjen e Manchester Unitedit për një shumë marramendëse prej pesë miliardë funtesh, më shumë se dyfishi i vlerës së klubit në bursë.

Kjo do të ishte një tjetër arsye për pakënaqësi te tifozët e Unitedit, të cilët rrallë marrin ndonjë komunikim apo shpjegim transparent nga familja amerikane, pavarësisht se ajo e kontrollon klubin prej më shumë se dy dekadash.

Në fakt, hera e fundit kur familja Glazer publikoi një deklaratë zyrtare ishte më 21 prill 2021, kur bashkëkryetari Joel iu drejtua tifozëve me një letër të hapur, duke kërkuar falje për “trazirat” e shkaktuara nga përfshirja e klubit në projektin e Superligës Evropiane.

“Gjatë ditëve të fundit, të gjithë e kemi parë pasionin e madh që ngjall futbolli dhe besnikërinë e thellë që tifozët kanë ndaj këtij klubi të madh”, shkruan Glazerët në një nga rastet e rralla kur komunikuan publikisht.

“Ju e bëtë shumë të qartë kundërshtimin tuaj ndaj Superligës Evropiane dhe ne ju kemi dëgjuar. Kemi gabuar dhe dëshirojmë të tregojmë se mund t’i përmirësojmë gjërat. Edhe pse plagët janë ende të freskëta dhe e kuptoj se do të duhet kohë që ato të shërohen, unë personalisht jam i përkushtuar për ta rindërtuar besimin e tifozëve dhe për të mësuar nga mesazhi që na përcollët me aq bindje. Ne vazhdojmë të besojmë se futbolli evropian duhet të bëhet më i qëndrueshëm financiarisht në të gjitha nivelet, në planin afatgjatë. Megjithatë, e pranojmë plotësisht se Superliga nuk ishte mënyra e duhur për ta realizuar këtë. Në përpjekje për të krijuar një bazë më të qëndrueshme për futbollin, nuk treguam respektin e duhur për traditat e tij të rrënjosura thellë – ngjitjen dhe rënien nga liga, si dhe sistemin e garave në të gjitha nivelet – dhe për këtë kërkojmë falje. Ky është klubi më i madh i futbollit në botë dhe kërkojmë falje pa asnjë rezervë për trazirat e shkaktuara gjatë këtyre ditëve”, thuhej tutje.

Manchester Unitedi ishte një nga klubet kryesore që shtynë përpara projektin e shkëputjes dhe krijimit të Superligës Evropiane, i cili përfundimisht dështoi pas reagimit të fuqishëm kundërshtues nga tifozët dhe organet drejtuese të futbollit.

Kjo ishte një nga arsyet pse pakënaqësia dhe zemërimi ndaj familjes Glazer u rritën edhe më shumë. Që atëherë, familja ka qëndruar kryesisht në heshtje dhe larg vëmendjes publike, ndërsa protestat e tifozëve dhe kriza brenda klubit kanë vazhduar.

Të ngjashme

Të fundit