Trajneri i Comos, Cesc Fabregas, ka paralajmëruar se skuadra e tij mund të detyrohet të garojë në Ligën e Kampionëve të UEFA-s me një grup jashtëzakonisht të kufizuar prej vetëm 16 ose 17 lojtarësh.
Problemi lidhet me kufizimet dhe rregullat e rrepta të UEFA-s, pasi skuadra nuk ka numrin e nevojshëm të futbollistëve të dalë nga akademia e klubit. Në të njëjtën kohë, spanjolli shprehu kënaqësinë e tij për përforcimet e reja që Como ka realizuar së fundmi, si Mattia Liberali, Luis Mila dhe Kaike.
Këto sfida vijnë pas ngritjes së shpejtë të klubit. Vetëm dy vite më parë, Como luante në Serie B, ndërsa tani po përgatitet për garën më prestigjioze evropiane për klube, pasi sezonin e kaluar e mbylli në vendin e katërt në Serie A.
Ky sukses i shpejtë e gjeti të papërgatitur drejtimin e klubit përballë rregullave të UEFA-s mbi lojtarët e formuar në klub dhe ata të dalë nga akademia. Sezonin e kaluar, Como kishte vetëm një futbollist italian në skuadër dhe ai luajti vetëm një minutë gjatë gjithë kampionatit.
Fabregas e shpjegoi situatën në një konferencë për shtyp, duke deklaruar sipas “Football Italia”:
“Ne kemi kufizime në listën e UEFA-s dhe, duke qenë se ende nuk kemi një akademi që të na sigurojë lojtarët që kërkohen nga rregulloret, do të gjendemi në Ligën e Kampionëve me një skuadër prej vetëm 16 ose 17 lojtarësh. Pikërisht për këtë arsye po përpiqemi të krijojmë vetë futbollistët tanë. Është një proces që kërkon kohë dhe nuk mund të përfundojë brenda dy ose tre vitesh.”
Për të zbutur këtë problem, Como transferoi Mattia Liberalin, një lojtar i Italisë U21 dhe ish-talentin e Milanit, i ardhur nga Catanzaro. Fabregas u shpreh për të:
“Liberali më telefonoi disa ditë para fillimit të përgatitjeve sepse donte të ishte me ne që në ditën e parë. Ai tregoi vendosmëri të madhe dhe i kuptoi shumë shpejt idetë tona. Do të luajë nesër, ku mund të aktivizohet si organizator loje ose si ‘9’ i rremë.”
Sa i përket merkatos së verës, trajneri spanjoll u shpreh i kënaqur me afrimet që zëvendësuan lojtarët e larguar:
“Ne e dinim se Alberto Moreno dhe Sergi Roberto do të largoheshin, por arritëm t’i zëvendësonim shpejt. Kaike erdhi për të zëvendësuar Morenon, ndërsa Luis Mila është një objektiv që e ndiqnim që nga janari, për shkak të personalitetit të tij si lider dhe aftësisë për t’i dhënë skuadrës ekuilibër dhe organizim. Më pëlqen shumë edhe pasioni dhe agresiviteti mbrojtës i Kaikes, ndërsa tani po punojmë me të që të përmirësojë lojën kur ka topin në zotërim.”
Duke folur për talentet e rinj që po rikthehen nga pushimet pas angazhimeve me kombëtaret, Fabregas veçoi Nico Pazin, i cili ishte pjesë e Argjentinës në Kupën e Botës, si dhe Assane Diaon dhe Martin Baturinën. Ai theksoi se, me rritjen e pritshmërive ndaj tyre, shtohet edhe presioni, ndërsa detyra e stafit teknik është t’i ndihmojë ta përballojnë atë.
Trajneri zbuloi se Nico Paz do t’i bashkohet skuadrës më 17 gusht dhe konfirmoi se nuk do të luajë në ndeshjen miqësore ndaj Liverpoolit.
Fabregas mirëpriti gjithashtu rikthimin e Roberto Mancinit në krye të kombëtares së Italisë, duke vlerësuar aftësitë e tij teknike dhe përvojën e gjatë si trajner.
“Unë gjithmonë e kam admiruar Mancinin dhe e kam ndjekur që nga koha te Manchester City. Kam biseduar disa herë me të dhe është një trajner fitues, kërkues dhe që luan futboll të bukur. Ai e tregoi se si arrihet suksesi kur fitoi Kampionatin Evropian dhe jam shumë i lumtur për të.”
Mancini u rikthye në stolin e Italisë tre vite pasi ishte larguar për të drejtuar kombëtaren e Arabisë Saudite. Federata Italiane vendosi t’i besojë sërish atij pas negociatave me emra të njohur si Carlo Ancelotti, Pep Guardiola dhe Andrea Pirlo. Edhe pse disa e konsideruan këtë zgjedhje si një hap prapa, Fabregas nuk ishte dakord, duke insistuar se rikthimi i Mancinit është një zhvillim pozitiv për futbollin italian.






