Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Erblin Osmani është stërvitur me ekipin e parë të Bayernit para duelit me Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve.
Në të vërtetë, Osmani është futur edhe në listën B të ekipit gjerman për ndeshjet e Ligës së Kampionëve.
Kështu që, tash e tutje mesfushori i ri mund të përdoret nga skuadra bavareze për përballjet e ardhshme të Championsit.
Ky është një hap i rëndësishëm për Osmanin, të cilin te Bayerni po e vlerësojnë gjithnjë e më shumë, duke e ftuar të stërvitet me ekipin e parë.
17-vjeçari në fund të muajit shtator debutoi me Kombëtaren e Kosovës pasi ishte ftuar për herë të parë të jetë pjesë e grumbullimit të “Dardanëve”.
Ai pritet të jetë pjesë e listës së selektorit Franco Foda edhe për ndeshjet e këtij muaji në Ligën e Kombeve, ndërsa është pjesë e ekipit U19 te Bayern Munchenit.






