Edhe pse për shumë kë gara për titull në këtë sezon ka mbaruar, kjo nuk vlen për presidentin e Ballkanit Arsim Kabashi, i cili pret që “Xhebrailat” ta mbrojnë titullin.
Ballkani këtë sezon pas largimit të Ilir Dajës kanë pasur probleme në kampionatin kosovar, duke shkarkuar Pollozhanin si pasojë e eliminimit në Kupën e Kosovës, ndërsa janë 10 pikë prapa liderit aktual, Drita në kampionatin kosovar.
Megjithatë, Kabashi i ka dërguar “selam” Dritës për t’ua kujtuar se gara për titull ende nuk ka mbaruar.
“Epoka e Ballkanit vetëm sa ka filluar. Recetën e kampionit nuk e dinë të gjithë, ne ishim dhe do të jemi”.
“Shihemi në festën e katërt të kampionit. Urime festat!”, shkroi ai ndër të tjera në rrjetin social “Facebook”.
Drita pas gjashtë xhirove ka mbledhur 37 pikë në Superligën e Kosovës, kurse Ballkani aktualisht zë pozitën e tretë me 27 sosh.